Kompania e zotit Donald Trump është gjetur fajtore për mashtrime tatimore në një çështje të hapur nga Prokurori i Qarkut të Manhatanit. Një gjetje që bie në kundërshtim me praktikat financiare të biznesit të ish-presidentit.
Të martën një juri shpalli fajtore dy entitete të Organizatës Trump lidhur me 17 akuzat e ngritura, përfshirë akuzat për konspiracion dhe falsifikim të dhënash.
Vendimi u mor pas dy ditë diskutimesh nga ana e jurisë. Organizata Trump u akuzua si bashkëpunëtore në një skemë nga drejtuesit kryesorë për të shmangur taksat individuale që rezultojnë nga përfitimet e punëdhënësit si apartamente pa qira dhe makina luksoze. Prokurorët kanë tre vjet që hetojnë ish-presidentin dhe bizneset e tij, megjithëse nuk pritet që dënimet të jenë aq të rënda sa të rrezikojnë të ardhmen e kompanisë së zotit Trump.
Organizata Trump mund të gjobitet deri në 1.6 milion dollarë, një shumë relativisht e vogël për nga përmasat e kompanisë, por një dënim që mund t’i komplikojë disa nga marrëveshjes e saj në të ardhmen.
Zoti Trump, i cili njoftoi së fundmi se do të kandidonte përsëri për president, ka thënë se çështja kundër kompanisë së tij ishte pjesë e një “gjuetie shtrigash” me prapaskena politike dhe e orkestruar nga demokratët që duan të hakmerren.
Vetë zoti Trump nuk ishte në gjyq, por prokurorët pretenduan se ai “e dinte saktësisht se çfarë po ndodhte” me skemën, megjithëse ai dhe avokatët e kompanisë e kanë mohuar akuzën. Akuzat ndaj kompanisë u bazuan tek dëshmia e ish-shefit të financave të Organizatës Trump, Allen Weisselberg, i cili më herët u deklarua fajtor nën akuzat se ai manipuloi rregjistrat financiarë të kompanisë dhe paketën e përfitimeve të tij për të ulur në mënyrë të paligjshme tatimet e tij vjetore.
Zoti Weisselberg kaloi në rolin e dëshmitarit në këmbim të premtimit për një dënim me pesë muaj burg. Megjithëse ai u bë dëshmitar për prokurorinë, zoti Weisselberg gjithashtu u përpoq të merrte përgjegjësinë, duke thënë se askush në familjen Trump nuk e dinte se çfarë po bënte ai.
“Ishte lakmia ime personale që çoi në këtë pikë,” dëshmoi zoti Weisselberg./Zëri i Amerikës
Top Channel