Ejnxh Pepa, Kordinatore në Linjën e Këshillimit për Gra dhe Vajza tregon një foto që pasqyron rininë që dëfrehet në lokalet e natës në Tiranë…
Ajo mban orë Rolex dhe pi puro. Ndërsa një foto tjetër tregon dy fëmijë që luajnë në faqet e Piramidës, siç bënim të gjithë atë kohë.
Vitet ’90 shënuan një ndryshim rrënjësor në vendin tonë. Regjimi komunist u zëvendësua me sistemin e demokracisë. Këtu ndodhemi në ekspozitën e organizuar nga Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza, ku pasqyrohet përplasja mes brezave që jetuan në komunizëm dhe atyre në demokraci.
“Ekspozita është titulluar “Gjenerata A” dhe pasqyron të gjitha përjetimet e brezit të parë që jetoi rininë në kohën e demokracisë, pas rënies së diktaturës. Të gjitha fenomenet që kanë ndodhur fill pas rrëzimit të komunizmit tregohen dhe shihen nga një lente gjinore, kjo në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave. Salla ku u bë prezantimi është e mbushur me të rinj të shkollave të mesme, pasi kjo është në vazhdën e një punë shumë të gjatë që bëhet për sensibilizimin e të rinjve kundër dhunës ndaj femrës.
Ne besojmë shumë që është më mirë të parandalosh, sesa të trajtosh. Ne ofrojmë shumë shërbime për dhunën ndaj grave dhe për gratë që janë viktima të dhunës, por ku ka më mirë sesa t’i mësojmë të rinjtë se çfarë është dhuna, cilat janë normat gjinore dhe rolet gjinore dhe si t’i refuzojnë normat toksike të maskilizmit që ta zvogëlojmë sa të mundemi dhunën në shoqëri“, shpjegon Ejnxh Pepa.
Top Channel