Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka dënuar dhunën e ushtruar dje ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha gjatë protestës në Tiranë.
Përmes një njoftimi për shtyp KShH kërkon nga Prokuroria e Tiranës të kryejë veprimet hetimore shpejt, objektive dhe të gjithanshme.
KShH thekson se tubimet paqësore dhe pa armë janë të garantuara nga neni 47 i Kushtetutës.
“Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) dënon aktin e dhunës, që në tubimin e datës 6 Dhjetor 2022, u përdor ndaj deputetit të Kuvendit të Shqipërisë z. Sali Berisha, ish President i Republikës së Shqipërisë dhe ish Kryeministër i vendit. Personi që kreu këtë vepër kriminale u identifikua, ndërsa Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë filloi menjëherë çështjen penale. KShH i sugjeron organit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, që të zhvillojë hetime të shpejta, objektive dhe të gjithanshme, përfshirë edhe deklaratat lidhur me këtë ngjarje të z. Berisha, para gazetarëve menjëherë pas përfundimit të tubimit. KShH e sheh të nevojshme të theksojë se tubimet paqësore dhe pa armë janë të garantuara nga neni 47 i Kushtetutës sonë dhe neni 11 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ)”- thuhet në reagimin e KShH.
Pak para se të niste protesta dje, ish kryeministri Sali Berisha u sulmua me grusht në fytyrë, nga Gert Shehu, që sipas tij, është “agjent i policisë kriminale”, ndërsa sipas policisë, 31-vjeçari është person me precedentë kriminalë dhe me çrregullime të shëndetit mendor. Berisha u sulmua papritur nga 31-vjeçari, teksa po ecte nga selia e partisë së bashku me ish presidentin Ilir Meta, në drejtim të shëtitores “Dëshmorët e Kombit”, ku po niste një protestë kundër kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që në Tiranë po mbahej edhe samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Top Channel