Në 110 vjetorin e Pavarësisë së Gjirokastrës dhe 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA janë ekspozuar në një event memorie objekte të koleksioneve private të pasardhësve të protagonistëve të asaj periudhe.
Mes objekteve të ekspozuara spikat një koleksion pullash postare të printuara në SHBA në nder të vendeve të koalicionit fitues të Luftës së Dytë Botërore mes të cilave një pullë me flamurin shqiptar.
Gjithashtu një kartolinë e vitit 1922 në Amerikë që prezanton krijimin e bandës muzikore “Labëria” nga djemtë shqiptarë që vinin nga Jugu i vendit.
Një koleksion fotografish të shekullit të kaluar që dokumenton përpjekjet e shqiptarëve të Amerikës dhe hapësirën e lirisë që ata patën prej shtetit amerikan për të krijuar klubet e tyre, institucionet fetare, mediat dhe organizatat atdhetare sjell edhe një portret të paekspozuar më parë të Nolit.
Në event u ekspozuan gjithashtu pjesë nga ditari i mësuesit Hysen Hashorva i cili përshkruan pjesërisht rrugëtimin mistik të 27 amerikanëve gjatë pushtimit nazist në malet përreth Gjirokastrës për të shkuar drejt evakuimit në bregdet.
Për ngjarjen pothuajse të panjohur më parë pritet të kryhen kërkime të mëtejshme për tu dokumentuar si një kontribut që banorët e Gjirokastrës patën në shpëtimin e jetëve të asaj skuadre deri në evakuim.
Dëshmitë materiale historike të 100 viteve më parë sipas studiuesve megjithëse ekzistojnë është e nevojshme të përqëndrohen në botime të posaçme dhe të bëhen të njohura për publikun.
Në analizën që historianët po kryejnë mbi këto ngjarje rezulton se shumë prova dokumentare janë zhbërë ose zhdukur përfundimisht.
Top Channel