Ndonëse të ndarë në bindje brenda partisë, Gazement Bardhi ka dalë sot krah Sali Berishës, pas sulmit që iu bë sot në protestë.

Në një postim në Twitter, Bardhi e konsideron sulmin një akt burracak të Edi Ramës, ndërsa thekson se skenarët me dhunë ndaj kundërshtarit politik janë tipike të një regjimi të korruptuar dhe të kriminalizuar

“Skenarët me dhunë ndaj kundërshtarit politik janë tipike të një regjimi të korruptuar dhe të kriminalizuar. Akt burracak i Edi Ramës, që nuk tremb dot askënd. Duke dënuar me forcë sulmin fizik ndaj z. Berisha, bëj thirrje që autorët e vërtetë të vihen menjëherë përpara ligjit.” shkruan Bardhi.

Dhuna ndaj Sali Berishës është dënuar gjithashtu edhe nga Enkelejd Alibeaj, i cili ndër të tjera kërkon që të zbardhet sa më shpejt ky incident.

“Dënoj me forcë aktin e sotëm të dhunës ndaj Sali Berishës. Sulmi ndaj çdo politikani, e ndaj çdo individi, është një akt i dënueshëm dhe i pavend në një shtet funksional demokratik. Incidenti i sotëm duhet të zbardhet urgjentisht nga organet përgjegjëse ndërsa kultura e dhunës duhet përjashtuar njëherë e përgjithmonë nga zhvillimet e politikës në Shqipëri.” shkruan Alibeaj.

Një person i identifikuar me emrin Gent Shehu, sulmoi sot ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa kishte dalë nga selia e partisë dhe po ecte, së bashku me Ilir Metën drejt bulevardit qendror të Tiranës, ku po organizohej protesta.  Agresori iu afrua dhe e goditi me grusht në fytyrë.

Goditja duket se ishte e fortë, aq sa Berisha u lëkund pas duke humbur ekuilibrin, ndërsa autori u bllokua menjëherë nga rojet e ish kryeministrit dhe përkrahësit e tjerë të opozitës që gjendeshin aty, të cilët reaguan në mënyrë të dhunshme ndaj tij. Më pas ai u mor nga forcat e policisë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës.

Top Channel