“Autori ka qenë agjent i policisë kriminale”/ Skeda shëndetësore e Gert Shehut, Berisha: U nxor nga zyra e Kryeministrisë për të mashtruar liderët botërorë

06/12/2022 15:40

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk e beson se personi që e sulmoi në protestë vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Në mbyllje të protestës që kulmoi me dhunën që 31-vjeçari Gert Shehu kreu ndaj tij, Berisha doli në një deklaratë për mediat, ku e cilësoi autorin “agjent të policisë kriminale”.

Berisha u shpreh se Gert Shehu është vërtet kontingjent në rrethet e trafikantëve, por zyra e kryeministrit nxitoi “të shpërndante me urgjencë këtë dokument shëndetësor për të. Sipas tij, kjo dëshmon se gjithçka ishte e përgatitur.

“Kjo shkresë është parafabrikat për të mashtruar liderët e BE-së që janë sot këtu. Shkresa nuk ka asnjë datë, që nuk ndodh ndonjëherë dhe për çudinë tuaj as vula nuk ka datë. Këtu keni një rekord tjetër. Është arrestuar sepse ju gjetën 1.9 gram kanabis sativa. Janë tipike veprime që kryhen ndaj agjentëve të policisë për të bërë të besueshëm, penetruar dhe instaluar në rrjetet e trafikantëve. Burimet e mia që janë të sigurta, ky ka funksionuar si agjent i policisë kriminale në këto dy destinacione. Ky thuhet se është i ditëlindjes 1991, nga fshati Krahës i Tepelenës dhe banues në Tiranë”, tha Berisha.

Një person i identifikuar me emrin Gent Shehu, sulmoi sot ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa kishte dalë nga selia e partisë dhe po ecte, së bashku me Ilir Metën drejt bulevardit qendror të Tiranës, ku po organizohej protesta. Agresori iu afrua dhe e goditi me grusht në fytyrë.

Goditja duket se ishte e fortë, saqë Berisha u lëkund pas duke humbur ekuilibrin, ndërsa autori u bllokua menjëherë nga rojet e ish kryeministrit dhe përkrahësit e tjerë të opozitës që gjendeshin aty, të cilët reaguan në mënyrë të dhunshme ndaj tij. Më pas ai u mor nga forcat e policisë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës.

Top Channel