Në raportin e pestë për monitorimin e pezullimit të vizave Komisioni i BE-së kërkon nga vendet e Ballkanit Perëndimor të heqin dorë nga skemat e dhënies së shtetësisë për investitorët e huaj.
Në raportin e tij të pestë për monitorimin e pezullimit të vizave, i cili u prezantua të hënën, 5.12.2022 në Bruksel, Komisioni i BE-së kërkon nga vendet e Ballkanit Perëndimor për shtetasit e të cilëve janë hequr vizat, harmonizim të politikave të vizave. Veç të tjerash, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë paralajmëruar nga Komisioni për skemat e dhënies së shtetësisë për investitorët e huaj. Komisioni paralajmëron se aplikimi i pasaportave të arta mund të sjellë sërish regjimin e vizave për vendet përkatëse
Shqetësim për “pasaportat e arta” të Shqipërisë
Pavarësisht nga shqetësimet e shprehura më parë nga Komisioni, Shqipëria vijon të ketë në fuqi legjislacionin që lejon marrjen e një ‘shtetësie sipas skemës së investimeve (‘pasaportat e arta’), konstatohet në raport. Aty ngrihet më tej shqetësimi se skema të tilla, shtetësi kundrejt investimi, mund të nxisin migracionin e parregullt në BE, si edhe të minojnë masat për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
“Ky është një shqetësim i madh për BE-në në kuadrin e marrëveshjes së saj pa viza me Shqipërinë”, thuhet në raport. Komisioni mendon se, nëse skema të tilla “përbëjnë një rrezik në rritje për sigurinë e brendshme”, regjimi pa viza mund të anullohet”
Vërejtje edhe në adresë të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi
Komisioni ushtron kritikë edhe në adresë të Malit të Zi për shkak të politikës së dhënies së shtetësisë. Ndërsa Shqipëria ende nuk ka filluar ende të aplikojë ligjin e shtetësisë, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë vijuar të japin shtetësi të tilla, megjithë paralajmërimet nga Brukseli.
Kështu, sipas raportit, Mali i Zi ka pranuar në vitin 2021 aplikime për natyralizim nga 807 shtetas të huaj. Deri në dhjetor 2021, mbi këtë bazë ishin lëshuar 264 pasaporta malazeze. Komsioni i tërheq vëmendjen edhe Maqedonisë së Veriut, e cilas sipas raportit, kishte dhënë 115 shtetësi të për investitorë, pa pasur nevojë që ata më parë të ishin rezidentë në vendet e tyre. Një shifër kjo më e lartë se në vitin 2020 (103), konstaton Komisioni.
Pasaportat e arta mund të rikthejnë vizat
Komisioni i paralajmëron këto vende se do të vijojë ta monitorojë praktikimin e “pasaportave të arta”. Nëse skema të tilla do të përdoren për të anashkaluar procedurën e vizave të BE-së ose për “pastrim parash”, apo të rezultojnë se përbëjnë rrezik për sigurinë, Komisioni do të kërkojë rivendosjen e regjimit të vizave.
Harmonizimi i politikave të dhënies së vizave
Kritikë ushtron raporti në adresë të Shqipërisë edhe përsa i përket politikës së vizave. “Shqipëria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të harmonizuar më tej politikën e saj të vizave me listën e vendeve të treta, për shtetasit e të cilëve BE kërkon vizë”, konstaton raporti. “Përkundrazi, në vitin 2021 dhe në fillim të vitit 2022, Shqipëria u largua më shumë nga rekomandimet.”
Në raport kërkohet që në të ardhmen të mos ketë devijime të tjera nga lista e vendeve, për të cilat BE kërkon viza. Kjo, sipas raportit, vlen më së shumti për ato vende të treta që kanë emigrim të parregullt ose që përbëjnë rreziqe sigurie.
Përpara vitit 2021, Shqipëria kishte pasur marrëveshje pa viza me Armeninë, Azerbajxhanin, Bjellorusinë, Kinën, Guajanën, Kazakistanin, Kuvajtin dhe Turqinë dhe ndërkohë ka hequr kërkesat për viza sezonale (nga maji në shtator) për shtetasit e Bahreinit, Omanit, Katarit, Rusisë, Arabisë Saudite dhe Tajlandës.
Në raport kritikohet edhe heqja e vizave sezonale për shtetas të huaj që janë rezidentë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Shumë syresh kanë përfunduar si refugjatë në BE, thuhet në raport.
Top Channel