Foto ilustruese

Një tjetër aksident i rëndë është shënuar në Lezhë këtë mbrëmje, ku makina ka përplasur fëmijën dhe të rriturin, të cilët i përkasin komunitetit rom.

Ngjarja ka ndodhur në aksin Lezhë-Milot, aty ku mjeti tip ‘Fuoristradë’ ka përplasur të miturin dhe burrin rreth moshës 35 vjeç, ndërsa ecnin anash rrugës në këmbë.

Burimet nga spitali të gazetares së Top Channel, bëjnë me dije se 35-vjeçari ka fraktura të shumta në trup dhe këmbë, ndërsa fëmija që ishte me të ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Të dy janë transportuar për në spitalin e Lezhës, ndërkohë policia ndodhet në vendin e ngjarjes duke hetuar per shkaqet e këtij aksidenti.

Mëngjesin e sotëm një aksident ka ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Shkodër në afërsi të Balldrendit, ku kamioni dhe fuoristrada janë përplasur me njëra-tjetrën.

Si pasojë e përplasjes ka mbetur i dëmtuar lehtë shoferi i fuoristradës, e cila përfundoi në kanal.

Top Channel