Qeveria gjermane dëshiron të thyejë një bllokadë shumëvjeçare dhe t’u japë migrantëve shtetësinë e dyfishtë: tepër vonë.
Planet e Gjermanisë për të lejuar shtetësinë e dyfishtë kanë ardhur 10 vjet me vonesë thotë, Marc Young. “Atëherë do të kisha qenë qytetari gjerman më i zellshëm që mund të kishit imagjinuar”, tha ai për DW. “Por unë refuzova të heq dorë nga pasaporta ime amerikane. Të mbash nënshtetësinë e vjetër, nuk do të thotë se ke besnikëri të ndarë, siç pretendojnë shumë konservatorë gjermanë. Ajo thjesht pasqyron se kush je në të vërtetë. Ndryshimi vjen tepër vonë.”
Young jeton prej 20 vitesh në Gjermani dhe është i lodhur nga debati politik që ka shpërthyer në Gjermani pas njoftimeve të javës së kaluar të qeverisë së kancelarit Olaf Scholz.
Reformat që po planifikon qeveria e udhëhequr nga socialdemokratët është pjesë e një rishikimi të gjerë të ligjit të imigracionit të Gjermanisë që synon kryesisht inkurajimin e punëtorëve më të kualifikuar për të ardhur në Gjermani dhe për të plotësuar mungesat masive në tregun e punës.
Ndryshimet e planifikuara në ligj
Planet e reja të shtetësisë përbëhen nga katër ndryshime:
Emigrantët që jetojnë ligjërisht në Gjermani do të lejohen të aplikojnë për shtetësi pas pesë vjetësh, në vend të tetë viteve aktuale;
Fëmijët e lindur në Gjermani nga të paktën një prind që ka jetuar ligjërisht në vend për pesë ose më shumë vjet do të marrin automatikisht shtetësinë gjermane;
Do të lejohen shtetësi të shumëfishta.
Për moshat mbi 67-vjeçare do të hiqet kushti i testit të gjuhës me shkrim, mjafton që ata të mund të orientohen në vend.
Uninoni Kristian Demokrat (CDU) i qendrës së djathtë të opozitës, i cili ka bllokuar vazhdimisht çdo reformë të tillë në të kaluarën, i sulmoi menjëherë planet e Scholzit. “Shtetësia gjermane është diçka shumë e çmuar dhe duhet trajtuar me shumë kujdes,” tha kreu i CDU-së, Friedrich Merz për programin televiziv ARD javën e kaluar.
Te emigrantët që aktualisht kanë të drejtë shtetësie të dyfishtë në Gjermani hyjnë ata, vendi i origjinës i të cilëve nuk i lejon njerëzit të heqin dorë nga shtetësia (p.sh. Irani, Afganistani, Maroku), fëmijët e prindërve me shtetësi gjermane dhe shtetësi të tjera, refugjatët që kërcënohen me persekutim në vendin e tyre, dhe izraelitët. Sirianët që erdhën në Gjermani si refugjatë dhe konsiderohen se janë integruar mirë, gjithashtu mund të marrin nënshtetësinë gjermane.
Reformat do ta sjellin Gjermaninë në linjë me vendet e tjera evropiane. Në BE, Suedia kishte shkallën më të lartë të natyralizimit në vitin 2020, me 8.6% të të gjithë të huajve që jetonin atje të natyralizuar. Në Gjermani, norma ishte 1.1%.
“Ligji gjerman i shtetësisë bazohet në parimin e shmangies së shtetësive të shumëfishta”, tha për DW Greta Agustini, një avokate gjermane e specializuar në emigracionin. “Vendet e tjera evropiane, si Italia, Suedia, Irlanda, Franca etj, lejojnë shtetësinë e dyfishtë dhe kanë më pak ligje burokratike për këtë çështje.
Shumë nga klientët e Agustinit kanë luftuar për të gjetur një mënyrë për të fituar nënshtetësinë gjermane. “Ata refuzojnë të heqin dorë nga nënshtetësia e vendit të tyre, megjithatë duan të fitojnë edhe atë gjermane”, tha ajo.
Sipas Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë, në Gjermani jetojnë rreth 2.9 milionë njerëz me më shumë se një shtetësi, rreth 3.5% e popullsisë. Megjithëse numri aktual ka të ngjarë të jetë më i lartë, pasi ka regjistruar një rritje, me 69% të shtetasve të rinj gjermanë që mbajnë pasaportën e tyre origjinale. Këtu, njerëzit me pasaporta polake, ruse ose turke kryesojnë listën.
“Shumë vonë për brezin e punëtorëve të ftuar”
Grupi që e ka ndier efektin e ligjeve të shtetësisë gjermane më fort se çdo tjetër është komuniteti turk, shumë prej të cilëve erdhën në Gjermani në vitet 1960 kur vendi kishte nevojë për punëtorë: Gjermania Perëndimore që në atë moment po rritej me shpejtësi të madhe nënshkroi marrëveshje me disa shtete për të rekrutuar të ashtuquajturit “punëtorë mysafirë”, në gjermanisht Gastarbeiter. Shumica dërrmuese ishin punëtorë krahu. Pjesa më e madhe e tyre ishte me prejardhje turke, mendohet se në Gjermani jetojnë rreth 3 milionë njerëz të trashëgimisë turke – 1,45 milionë prej të cilëve kanë ende nënshtetësi turke. Aslihan Yeşilkaya-Yurtbay, bashkë-drejtuese e organizatës së Komunitetit Turk në Gjermani (TGD), tha se reformat kanë ardhur “shumë vonë” për shumë prej atij brezi origjinal – “por [është] më mirë vonë se kurrë.”
“Për brezin e punëtorëve të ftuar, kjo reformë do të thotë njohje dhe respekt për jetën dhe punën e tyre në dhe për këtë vend,” tha Yeşilkaya-Yurtbay për DW. “Shumë turq të gjeneratës së dytë dhe të tretë, mendoj se do të ndihen të fuqizuar prej saj, sepse ata gjithmonë kishin një dilemë identiteti.” “Shumë njerëz e kanë pritur këtë dhe ndoshta kanë hequr dorë nga shpresa,” tha ajo. “Dhe nëse ndodh vërtet, atëherë mendoj se shumë do të bëhen gjermanë”.
Yeşilkaya-Yurtbay thotë se Gjermania do të kishte qenë një vend tjetër nëse reforma do të kishte ardhur më herët. “Njerëzit do të ishin identifikuar më shumë me Gjermaninë po të kishte ekzistuar kjo mundësi,” tha ajo. “Unë jam i sigurt se njerëzit do të kishin qenë më të interesuar politikisht dhe më aktivë në shoqëri, nëse kjo mundësi do të kishte ardhur që para 20 ose 30 vjetësh.”
TGD i ka dënuar si “raciste” dhe “të keqinformuara” shumë nga komentet e bëra nga CDU këtë javë. “Sinqerisht, jam i tronditur që këto zëra, të cilët janë raciste, ekzistojnë ende”, tha Yeşilkaya-Yurtbay. “Këto argumente nuk janë të bazuara në fakte dhe mendoj se janë shumë të rrezikshme për shoqërinë. Ato nuk janë as argumente për mua, ato thjesht nxisin emocione mes njerëzve të caktuar, kushdo qofshin ata”.
Marc Young mendon gjithashtu se përvoja e tij i ka dhënë atij një “mendje të vogël” të asaj që u është dashur të durojnë për dekada njerëzit me rrënjë turke. Por ai ka rritur fëmijë gjermanë dhe nuk ka ndërmend të largohet, dhe ndoshta do të aplikojë për shtetësinë gjermane nëse dhe kur të miratohen reformat e Scholz.
“Do të aplikoja nëse Gjermania do të lejonte shtetësinë e dyfishtë, por tani do ta shihja atë më shumë nga ana praktike”, thotë ai. “Unë i kam paguar taksat dhe një ditë do të jem pensionist gjerman, pavarësisht në i pëlqen liderit të CDU-së, Friedrich Merz. Ndoshta kjo do të ndryshonte sapo të bëhesha gjerman, por në këtë moment trëndafili teotonik brenda meje në këtë moment më është vyshkur.”/DW
Top Channel