Pavarësisht të gjitha përplasjeve dhe mosmarrëveshjeve, ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është solidarizuar me ish-kryeministrin Sali Berisha që u sulmua fizikisht sot gjatë protestës në kryeqytet.
Basha, përmes një reagimi në rrjetet sociale dënon dhunën ndaj Berishës dhe kërkon hetim të plotë për ngjarjen.
“Dënoj ashpërsisht sulmin fizik ndaj Berisha. Kjo ngjarje duhet të hetohet dhe të zbardhet plotësisht. Dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje. Ajo është vetëm tregues i një vendi pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa demokraci funksionale dhe me korrupsion të pandëshkuar”.
Një person i identifikuar me emrin Gent Shehu, sulmoi sot ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa kishte dalë nga selia e partisë dhe po ecte, së bashku me Ilir Metën drejt bulevardit qendror të Tiranës, ku po organizohej protesta.
Agresori iu afrua dhe e goditi me grusht në fytyrë. Goditja duket se ishte e fortë, saqë Berisha u lëkund pas duke humbur ekuilibrin, ndërsa autori u bllokua menjëherë nga rojet e ish kryeministrit dhe përkrahësit e tjerë të opozitës që gjendeshin aty, të cilët reaguan në mënyrë të dhunshme ndaj tij. Më pas ai u mor nga forcat e policisë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës.
Top Channel