Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës denoncimin e disa familjarëve të cilëve kufomën ua kishin nxjerr jashtë morgut pa ua larë.

Punonjësja e morgut sipas tyre u ka kërkuar 100 mijë lekë të vjetra për të larë kufomën, por pa u dhënë faturë për këtë shërbim. Ky shërbim para pak kohësh ofrohej falas nga morgu dhe prej dy javësh kundrejt çmimit prej 2000 lekësh të rinj. Familjarët kanë kundërshtuar të paguajnë punonjësen e morgut, e si rezultat kjo e fundit ua nxjerr kufomën e palarë në shi.

Në Fiks Fare u ankua Bashkim Korra dhe e shoqja e tij ku treguan se në datën 17  në orën 14:00 ndërron jetë i afërmi i tyre në QSUT, prej aty e çojnë në morg ku duhej të kryhej procedurat midis tyre dhe ajo e larjes  e  më pas të tërhiqnin trupin. “Punonjësja e morgut Klaudia Zinxhiria na kërkoi 100 mijë lekë për larjen e kufomës. I kërkuam zonjës që të na jepte faturën për shërbimin që do kryente dhe na thotë, që nuk ka faturë dhe dil jashtë. Pas disa debateve ku unë tentova ta filmoja me celular ajo më tha edhe këtë do të bësh ? Do ta bëj dhe do të çoj tek Fiksi. Më nxori jashtë dhe më tha qërohu. Kufomën na e nxori jashtë të pa larë. U detyruam ta merrnim trupin dhe e kemi larë në privat. I thashë zonjës që do ta ndjek si çështje dhe m’u përgjigj ndiqe ku të duash”, thotë Bashkimi për Fiks Fare.

Ai tregon se  kufoma nga ngelur jashtë morgut mbi 4 orë dhe sjellja e punonjëses ishte shumë harbutëshe. “Menjëherë gjatë debatit kemi shkuar në drejtori dhe kemi bërë ankesë, por na thanë që duhet të merresh me Ministrinë e Drejtësisë  pasi ky institucion është në varësi të  kësaj ministrie”, thotë Korra.

Pyetjes së Fiksit nëse kanë pasur një kontakt me Ministrinë e Drejtësisë, shprehen  se i kanë nisur një sms, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. “Nga Fiksi kërkojmë që raste të tilla të mos përsëriten më. I lutemi drejtorisë së morgut që të marrin masa të menjëhershme që ajo punonjëse të largohet prej aty. Do ta ndjekim edhe në rrugë ligjore, do bëjmë denoncim edhe në polici. Kërkojmë drejtësi, sot na ndodhi neve, nesër do të ndodh dikujt tjetër“, përfundon denoncimin e tij Korra.

Denoncuesja  pas disa ditësh që kishte ndodhur ngjarja i është  drejtuar  drejtorisë së spitalit për të pyetur nëse ishte marrë ndonjë masë për ankesën e tyre. Tek informacioni punonjëset i thonë se morgu nuk varet prej tyre dhe se ankesën e saj duhet ta drejtojë pranë Ministrisë së Drejtësisë prej të cilës morgu është në varësi ose në drejtorinë e morgut. Kështu bën dhe denoncuesi i drejtohet drejtorisë së Institutit të Mjekësisë Ligjore prej nga ku varet edhe morgu për të bërë një tjetër ankesë për zonjën. Sekretarja e pret në zyrë dhe i sugjeron të bëj një ankesë me shkrim ku kjo kërkesa do të protokollohej. Por denoncuesi e çon edhe më tej çështje ku i drejtohet Komisariatin nr 4 Tiranë ku bën edhe një denoncim për punonjësen e morgut. Disa ditë pas ankesës dhe kallëzimit, gazetarët e Fiks Fare interesohen në Mjekësinë Ligjore, duke kërkuar informacion nëse ndaj punonjëses ishte marrë ndonjë masë. Fiksi konstatoi se punonjësja vijonte normalisht punën, dhe kjo u dukë në pamjet e transmetuara.

Gazetarja e Fiksit shkoi pranë morgut dhe takoi vetë punonjësen e denoncuar duke u hequr si një e afërme e të ndjerit. Ajo i lë gazetares fillimisht një takim, por më pas e njofton me një sms ku shprehet  se çështja do të ndiqet në mënyrë ligjore. “Nuk kam çfarë të të sqaroj më tepër. Po më bini shumë në qafë  sidomos Zoti Bashkim, që është i shtyrë nga Zonja M.D. aty ku ka kryer edhe shërbimet e kufomës privatisht. Unë do ta ndjek këtë çështje në mënyrë ligjore“, shkruan punonjësja e morgut Klaudia Zinxhiria.

Fiksi kërkoi informacion zyrtar me shkrim pranë IML-së, duke i pyetur nëse është verifikuar denoncimi i familjarëve të së ndjerës. Madje,u  pyetën nëse janë këqyrur kamerat e sigurisë, pasi të gjitha ambientet janë të survejuara. Por, deri në transmetimin e këtij investigimi, Mjekësia Ligjore nuk ktheu asnjë përgjigje.

Top Channel