I dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, viziton sot Serbinë ku do të takohet me presidentin e vendit, Aleksandër Vuçiç.
Zyrtari i lartë europian e konfirmoi ditë më parë se do të qëndronte për vizitë në Beograd e Prishtinë për t’u siguruar që të dyja vendet po respektojnë marrëveshjen për targat e automjeteve.
Këto të fundit u kthyen në mollën e sherrit që rrezikoi të përflakte sërish tensionet mes dy vendeve duke i cuar ato drejt një pike të rrezikshme. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara ndërhynë me forcë me shpresën të shmangin mundësinë e një konflikti. Pas shumë përpjekjesh, marrëveshja u arrit në Bruksel në 23 nëntor mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç në Bruksel, pikërisht me ndërmjetësimin e Lajçak.
Ne 1 nëntor qeveria e Kosovës filloi zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia, me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për shtyrjen e afatit. Punonjësit serbë u tërhoqën nga të gjitha institucionet vendase me 4 nëntor ndërsa më pas, pati protesta në veriun e Mitrovicës dhe në Graçanicë kundër vendimeve të qeverisë qendrore në Prishtinë.
Në takimet që do të zhvillojë tani në të Kosovë e Serbi, Lajcak, nga sa pohoi ai vetë, do të diskutojë edhe hapat e ardhshëm për normalizimin e marrëdhënieve në përputhje me planin franko-gjerman. Zyra e Kryeministrit Albin Kurti nuk ka bërë ende asnjë njoftim për këtë vizitë.
Top Channel