Irani ka shpërbërë policinë e tij të moralit pas më shumë se dy muajsh protesta të shkaktuara nga vdekja e Mahsa Amini, sipas mediave lokale.
Amini vdiq në shtator në Teheran, pasi ishte arrestuar nga policia e moralit, nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.
Media shtetërore iraniane, IRNA, citoi të dielën prokurorin e përgjithshëm Mohammad Jafar Montazerin të ketë thënë se “policia e moralit nuk ka të bëjë me gjyqësorin”. Kështu iu përgjigj ai pyetjes se “pse policia e moralit po mbyllej”.
Patrullat e policisë së moralit nisën më 2006, me qëllim që të zbatoheshin rregullat e veshjes islame, veçanërisht të mbajtjes së hixhabit. Ata fillimisht lëshonin paralajmërime, por më pas nisën të arrestonin gratë që pretendonin se kishin shkelur rregullat.
Montazeri deklaroi një ditë më parë se Parlamenti dhe gjyqësori po “punonin” lidhur me atë se nëse ligji, që u kërkon grave të mbajnë hixhabin në publik, duhet të ndryshohet. Ai shtoi se “rezultatet do të shihen për një ose dy javë”.
Një ditë më parë Qeveria iraniane tha se më shumë se 200 persona janë vrarë në protestat që shpërthyen pas vdekjes së Aminit në shtator. Shtetet e Bashkuara dhe grupet për të drejtat e njeriut në Iran kanë thënë se protestat janë shndërruar në një prej sfidave më serioze për pushtetin iranian që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Top Channel