Pas më pak se një javë në Parlament qeveria do të paraqesë ligjin që rikthen në të ligjshme bastet sportive.

Në këtë mënyrë qeveria përmbys një nga premtimet më të forta kundër kumarit dhe që u mbështet nga pjesa dërmuese e shqiptarëve. Kjo qeveri që i mbylli bastet me premtimin për të mos i kthyer dhe për të shpëtuar të rinjtë nga vesi i kumarit, e njëjta qeveri po i rikthen lojërat e fatit. Ja çfarë deklarohej vetëm pak vite më parë.

Por së fundmi gjithçka ka ndryshuar dhe arsyeja e rikthimit të kumarit është se gjatë periudhës nga mbyllja legale e kompanive të basteve në Shqipëri lulëzoi një botë e tërë kriminale me bastet on line te paligjshme që nuk u mbyllën kurrë.

Pasoja ishte vetëm që shteti humbi paratë e taksave ndërsa bosët e botës së krimit u pasuruan aq shumë sa mbyllja e basteve ju rezultoi për mirë. Që në nisje të mandatit të parë të socialistëve u ndërmor aksioni fundi i marrëzisë me mbylljen e pikave të lojërave të fatit me makineta dhe disa vite më pas u goditën edhe bastet sportive.

Por prej disa muajsh nisi një fushatë e fortë lotimi për rikthimin e basteve në mënyra të ndryshme. Debatet për mënyrën e rikthimit janë të forta që nga licencimi i disa kompanive on line apo krijimi i një kompanie të vetme.

Ekspertë të kriminalistikës i thanë Top Channel se edhe ligji i ri që do hyjë në fuqi më 1 janar të 2023 nuk ka për ta zgjidhur problemin e jashtligjshmërisë.

Sepse bosët e krimit apo bosët e basteve ilegale që nuk do marrin dot licencë do të vazhdojnë punën ilegalisht duke konkurruar me koeficientet e fitimit kompanitë që do paguajnë taksat. Për vitin e ardhshëm fiskal qeveria parashikon të mbledhë 17 milionë euro vetëm nga bastet.

Top Channel