Portugalia mposhtet në ndeshjen e fundit të Grupit H ndaj Koresë së Jugut me rezultatin 2-1.
Koreano-jugorët nuk u dorëzuan kurrë edhe pse kaluan të parët në disavantazh ndërsa falë këtyre tre pikëve janë ata që kalojnë në raundin pasardhës pikërisht falë golavarazhit duke lënë jashtë Uruguain. Nga ana tjetër, Portugalia nuk rrezikon asgjë pasi ruan vendin e parë me gjashtë pikë.
Sa i takon kronikës së ndeshjes, Portugalia e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme teksa gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e pestë me anë të Horta. Ky i fundit u lirua nga kundërshtarët dhe pas një pasimi të Dalot në zonë, nuk gaboi. Luzitanët i patën shanset edhe për të dyfishuar, megjithatë me kalimin e minutave, Korea e Jugut e mori veten dhe në të 27-tën barazuan shifrat pasi shfrytëzuan një goditje këndi.
Me barazimin 1-1 u mbyll pjesa e parë ndërsa në fraksionin e dytë, Korea e Jugut u shfaq më kërkuese në kërkim të golit të avantazhit, por portieri Costa i mohoi festën.
Megjithatë, në minutën e parë shtesë, një kundërsulm i Son bëri diferencën teksa lojtari i Tottenham pasoi për Hee-Chan që nuk fali para portierit Costa dhe i dhuroi kualifikimin të tijve.
Kështu, Portugalia dhe Korea e Jugut kalojnë për më tej dhe në fazën e 1/8-tave, luzitanët do të përballen me vendin e dytë të Grupit G (Brazili, Zvicra, Serbia dhe Kameruni), ndërsa koreano-jugorët luajnë me vendin e parë të Grupit G.
Kore e Jugut-Portugali 2-1
Kronika e ndeshjes:
90+6′ Goooool! Korea e Jugut kalon në avantazh, kundërsulm i Son që pason për Hee-Chan më këtë të fundit që mposht Costën
27′ Korea e Jugut barazon shifrat, shënon Kim
5′ Goooool! Portugalia gjen rrugën e rrjetës me anë të Horta, sulmuesi nuk fal nga fare pranë portës së Kim
Top Channel