Mbush 190 vjeç breshka më e vjetër në botë që ka jetuar dy luftëra botërore e 25 guvernatorë (fotot)

02/12/2022 18:56

‘Jonathan’ breshka gjigante e Seishelles që ka jetuar prej vitit 1882 në ishullin St. Helena në jug të oqeanit Atlantik, është shpallur zyrtarisht më e vjetra në botë.

Mosha e Jonathan llogaritet vetëm me përafërsi nga dokumente dhe fotografi të kohës kur ajo erdhi në ishull, kur ishte e rritur dhe të paktën 50 vjeçe.

Veterineri tashmë në pension Joe Hollins, i cili ka ndihmuar në kujdesin për të, thotë: “Kur e mendon që mund të ketë lindur në vitin 1832 – në epokën Gjeorgjiane të Britanisë, sa ndryshime kanë ndodhur në botë …”

“Luftërat botërore, ngritja dhe rënia e perandorisë britanike, mbretërit e mbretëreshat që kanë kaluar, dhe ai ka qenë përherë këtu, duke u kënaqur”.

Në fillim të këtij viti Jonathan fitoi rekordin Guinness si kafsha tokësore më e vjetër në jetë, ndërsa këtë muaj u shpall dhe breshka më e vjetër në botë.

Jonathan ka kaluar shumicën e jetës në këtë ishull koloni britanike dhe jeton në pronën me plantacione së bashku me tre breshka më të reja, David, Emma e Fred.

Ai ka parë të ndërrohen më shumë se 25 guvernatorë apo dhe lindjen e radios, televizionit, automjeteve, internetit dhe aeroportit.

Për të festuar ditëlindjen e 190-të të breshkës legjendare, rezidentët nga i gjithë ishulli u bënë bashkë për një festë në shtëpinë e guvernatorit, ku do të shfaqen postera që celebrojnë jetën e kafshës, foto dhe mesazhe me ata të cilët e kanë vizituar gjatë dekadave.

Një video e animuar muzikore do t’i dedikohet jetës së Jonathan i cili do të marrë dhe një tortë ditëlindjeje me ushqimet e preferuara.

FOTO GALERI
1/3
Veterineri tashmë në pension Joe Hollins, ka ndihmuar në kujdesin për të

Top Channel