Gazetarët e AFP-së kanë udhëtuar deri në Has, apo “Londrën e vogël” në veriun e Shqipërisë për të parë nga afër efektet e emigrimit në masë të të rinjve shqiptarë në Britaninë e Madhe.
Banorët thonë se largimi për në Mbretërinë e Bashkuar i lejon ata të sigurojnë një jetesë të mirë, por vjen me dhimbjen e çrrënjosjes, udhëtimet e rrezikshme dhe punën e palodhur, nga të cilat përfitojnë edhe punëdhënësit e tyre britanikë.
Ndërkohë ata shprehen të indinjuar nga akuzat e Londrës zyrtare se janë pjesë e një “pushtimi” emigrantësh.
“Këtu varfëria është në kulm pavarësisht se emigrantët kanë sponsorizuar e kanë ndërtuar vila. Por vilat e Hasit janë bosh”, tha Drita Meshi.
“Shqiptarët nuk janë kriminela, por shkojnë për një jetë më të mirë”, tha Granit Gojani.
Një koment për këtë e bëri edhe kryebashkiaku, Liman Morina i cili mban në zyrën e tij një fotografi të mbretëreshës së ndjerë.
Ai thotë se edhe sikur të gjithë shqiptarët të shkonin në Angli nuk do ishin më shumë se një lagje londineze.
Ndërkohë fenomeni i largimit masiv edhe të adoleshentëve i ka lënë shkollat thuajse bosh.
Sipas statistikave zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar, shqiptarët janë tashmë grupi më i madh i vetëm që bëjnë kalime me varka të vogla të Kanalit.
Më shumë se 12,000 mbërritën në Britani këtë vit krahasuar me 50 në vitin 2020.
Top Channel