Në Bulo një nga fshatrat më të mëdhenj të bashkisë së Libohovës jetojnë aktualisht vetëm 20% e banorëve të 30 viteve më parë. Emigracioni ka bërë që të braktiset toka e të degradojë jeta.
Ymeri 80 vjeçar është duke vjelur ullinj i ndihmuar nga e bija që është emigrante që pas rënies së komunizmit bashkë me familjen. Ulliri nuk është traditë e zonës por ai eksperimentoi disa vite më parë dhe tani po vjel prodhim. Ymeri pranon se në fshat janë të gjithë të moshuar e se mungon shpresa për të ardhmen.
Një tjetër emigrant Shkëlqimi ose Kristo siç e njohin të gjithë që pas largimit drejt Greqisë, përpiqet të mirëmbajë shtëpinë e mbyllur prej vitesh në fshat duke ardhur herë pas here por as ai nuk mendon të kthehet.
Gëzimja kujton kohën kur fshati ishte plot dhe nuk i vjen keq për punën e dikurshme vullnetare për aksionet dhe shërbimin e rojes me armë në depon e armatimeve të fshatit. I vjen keq që prej vitesh nuk mund të shohë fëmijët, dhe që toka ka ngelur djerrë, që kontributi i një jete është shpërblyer me një pension qesharak.
Fshati Bulo ende është i rrethuar me bunkerë dhe infrastrukturë të degraduar militare. Madje gjurmët e komunizmit janë ende më prezente se investimet. Fshati që e ndajnë 2-3 km nga Libohova detyrohet të përshkojë 13 km për të arritur atje pasi rruga dytësore historike që dikur e lidhte me qytezën tani është jashtë funksionit.
Top Channel