Gjermania do t’i dërgojë Ukrainës qindra gjeneratorë të energjisë

02/12/2022 12:26

Gjermania do t’i dërgojë Ukrainës qindra gjeneratorë të energjisë elektrike, pas dëmtimit të infrastrukturës ukrainase si pasojë e bombardimeve të forcave ruse në javët e fundit.

Agjencia federale e Gjermanisë për çështje teknike ka thënë se 150 pajisje të tilla veçse janë dorëzuar dhe 320 tjera do të përgatiten për transport.

Sulmet e Rusisë në Ukrainë janë fokusuar kryesisht në termocentrale.

Teksa temperaturat sa shkojnë e ulen, miliona ukrainas kanë mbetur pa ngrohje, rrymë dhe ujë.

Pajisjet gjermane do të dërgohen kryesisht në Odesa, Mikollaiv dhe Herson.

Autoritetet gjermane kanë thënë se disa prej tyre ofrojnë fleksibilitet pasi gjeneratorët mund të montohen nëpër makina të mëdha.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, ka thënë ditë më parë se sulmet e Rusisë në infrastrukturën ukrainase të energjisë përbëjnë gjenocid.

Sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara, gjenocidi përfshin “synimin për të shkatërruar, pjesërisht apo plotësisht, një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar”.

Rusia mohon se ka një qëllim të tillë në luftën e nisur në fund të muajit shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA