BE bën thirrje për sjellje evropiane, pas deklaratave të Vuçiçit për Kurtin

02/12/2022 14:18

Bashkimi Evropian u ka bërë sërish thirrje liderëve politikë në Kosovë dhe Serbi që të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kenë “sjellje evropiane”, për të ndihmuar në ulje të tensioneve.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i ka bërë këto deklarata pas pyetjeve të gazetarëve për deklaratat e presidentit serb, Aleksander Vuçiç, i cili e ka quajtur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, “llum terrorist”, dhe ka paralajmëruar se Serbia nuk do të marrë pjesë në samitin që organizohet më 6 dhjetor në Tiranë midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që nuk janë pjesë e bllokut evropian.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, ka thënë se Samiti i Tiranës ka një rëndësi të veçantë, sidomos në kontekstin e situatës globale, dhe BE pret që të gjithë liderët të marrin pjesë në të.

“Natyrisht se ky është një samit shumë i rëndësishëm dhe presim që të gjithë liderët e rajonit të Ballkanit Perëndimor të jenë të pranishëm, sikur që do të jenë edhe liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”.

Stano ka thënë se është me rëndësi të merret parasysh situata dhe ajo të jetë e qetë.

“Situata e sigurisë në terren është e brishtë dhe duhet të punohet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Samiti i Tiranës është me rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh rrethanat gjeopolitike” ka thënë ai.

Deklaratat e Vuçiçit për Kurtin janë bërë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërim të Nenad Rashiqit në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim.

Serbia e ka konsideruar këtë vendim si shkelje dhe ka thënë se Rashiç nuk përfaqëson serbët e Kosovës.

Gazetarët e kanë pyetur Stanon nëse deklaratat e Vuçiçit përbëjnë “sjellje evropiane”.

“Ne si komunitet i 27 vendeve presim nga të gjithë partnerët që të sillen në mënyrë evropiane, e kjo përfshin edhe Serbinë edhe Kosovën. Kjo nënkupton përmbajtje nga deklaratat nxitëse”, ka thënë Stano.

Duke iu referuar emërimit të Rashiçit, Stano ka thënë se “sipas vlerësimeve preliminare, emërimi i tij nuk ka qenë në përputhje me kushtetutën”.

“Është shumë e rëndësishme që të gjitha emërimet e ministrave të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të sigurojnë respektimin e kushtetutës. Sipas leximit tonë preliminar, ky emërim nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Pozita në të cilën është emëruar Rashiç, deri në fillim të nëntorit mbahej nga Goran Rakiç, i cili ka dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar targat ilegale serbe në veri të Kosovës.

Për të njëjtën arsye, dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë dhënë edhe zyrtarë tjerë serbë nga veriu.

Viteve të fundit Rashiq ka vepruar si politikan opozitar serb në Kosovë.

Para formimit të Listës Serbe më 2013 – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës dhe pjesë e Qeverisë.

Më 2020, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pati emëruar Rashiçin si drejtor të Zyrës për Komunitete, mirëpo ai ka dhënë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga Prokuroria Speciale.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar atë nga aktakuza për “keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA