Stephanie Frappart shkruan historinë në futboll.
Rreth 92 vite nga ndeshja e parë e Kupës së Botës, një rekord u vendos në takimin Kosta Rika – Gjermani, pasi francezja bëhet gjyqtarja e parë femër në një ndeshje të Botërorit.
38-vjeçarja nuk ishte “vetëm”, kjo pasi u shoqërua nga dy asistentet Neuza Back nga Brazili dhe Karen Diaz Medina nga Meksika.
Në konferencën për shtyp, të dy trajnerët vlerësuan në maksimum Stephanie Frappart dhe fusha u dha të drejtë.
“Unë i besoj asaj 100%. Unë mendoj se ajo e meriton të jetë këtu për shkak të performancës dhe arritjeve të saj.” – tha Flick, ndërsa një koment nuk mungoi edhe nga trajneri i Kosta Rika-s, Luis Fernando Suarez.
“Unë jam i lumtur për të, e meriton. Është një hap i madh, veçanërisht në këtë sport.” -tha ai.
Stephanie Frappart i ka ngjitur shkallët një nga një dhe ka arritur të shkruajë historinë në harkun e tri viteve.
Ajo debutoi në kampionatin francez, Ligue 1 në prillin e vitit 2019, më pas vendosi drejtësi në Superkupën e Europës (gusht 2019). Në dhjetorin e vitit 2020 ajo gjykoi në Champions League, në marsin e vitit 2021 në kualifikueset e Kupës së Botës dhe tani, në dhjetorin e vitit 2022 në fazën e grupeve të Kupës së Botës.
Stephanie Frappart ka hapur një kapitull të ri në historinë e futbollit./ SuperSport
Top Channel