Vrasja e mbrëmshme e një gruaje shtatzënë në Kosovë, afërsi të Klinikës së Gjinekologjisë të QKUK-së, ka bërë që sot (e enjte) në Prishtinë të protestohet kundër vrasjes së grave.
Kjo protestë organizohet nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe YIHR me moton “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare”.
Ngjarja pritet të fillojë nga ora 16:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Raste të tilla tragjike kanë ndodhur edhe më parë, vetëm javën që shkoi një grua dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj me sëpatë, po në Prishtinë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:00 ku Sokol Halili vrau gruan e tij shtatzënë Hamide Magashin 35 vjeçe, të cilën e la të vdekur para maternitetit në Prishtinë.
Mediat e Kosovës bëjnë me dije se çifti ishte martuar këtë vit, por pas problemeve të shumta mes njëri-tjetrit kishin shkuar drejt ndarjes. Sipas familjarëve të viktimës, kjo e fundit kishte gjashtë muaj që mbahej e mbyllur në shtëpi nga bashkëshorti, madje edhe policia ka qenë e njoftuar në lidhje me abuzimin.
Halili është ende në kërkim nga policia pasi u arratis pas momentit të krimit.
Gjykata Themelore e Ferizajt përmes një njoftimi për media ka konfirmuar se ka pasur urdhër-mbrojtje ndaj 35-vjeçares e cila u vra mbrëmë në oborrin e QKUK-së. Në njoftim thuhet se kërkesa për lëshimin e urdhrit mbrojtës ishte bërë me datë 08 shtator 2022.
Top Channel