“U martuan për 10 ditë”, kushëriri i viktimës: Edhe familjarët e Sokolit e dhunonin

01/12/2022 14:49

Kushëriri i viktimës së Hamide Magashit, e cila u vra një ditë më parë në Prishtinë nga ish-bashkëshorti, në një lidhje telefonike në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel u shpreh se martesa mes tyre është bërë në një kohë shumë të shkurtër.

 “Ne jemi kushërinj, divorcin e kanë bërë me rregulla, me ligj, ka ndodhur para 4 muajve, I thanë ke me e lind fëmijën dhe me ia dhënë, prej dhunës u ndanë, ishte i dhunshëm,  ka bërë denoncim në polici, ka pas urdhër mbrojtje. Unë jo, nuk kam pas kontakt me Sokolin, u martuan shumë shpejt, për një jave, 10 ditë shkoi të jetonte tek familja e tij. Nuk e di si janë takuar, por shpejt ka shku tek shtëpia e Sokolit. Edhe familjarët kanë ushtruar dhunë. Nuk ka mundur policia me vëzhgu. Ajo ka shku për të ble diçka të vetat, e ka përcjellë ai”, tha kushëriri i viktimës.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:00 ku Sokol Halili vrau gruan e tij shtatzënë Hamide Magashin 35 vjeçe, të cilën e la të vdekur para maternitetit në Prishtinë.

Çifti ishte martuar këtë vit, por pas problemeve të shumta mes njëri-tjetrit kishin shkuar drejt ndarjes. Sipas familjarëve të viktimës, kjo e fundit kishte gjashtë muaj që mbahej e mbyllur në shtëpi nga bashkëshorti, madje edhe autoritetet kanë qenë të njoftuar në lidhje me abuzimin dhe i kishin dhënë asaj urdhër mbrojtjeje. Halili është ende në kërkim nga policia pasi u arratis pas momentit të krimit.

Top Channel