Kina ka zbutur tonet lidhur me rrezikun që paraqet COVID-19 dhe po lehtëson disa kufizime edhe pse numri i rasteve ditore është pothuajse në nivele rekord të larta.
Ky zhvillim pason protestat që përfshinë vendin, një shprehje e zemërimit publik, mbi masat e ashpra kufizuese të lidhura me pandeminë.
Disa qytete edhe pse po njoftojnë infeksione të reja, po heqin kufizimet dhe po lejojnë bizneset të rihapen.
Autoritetet shëndetësore njoftuan lehtësimin e masave, por pa përmendur protestat, të cilat varionin nga tubimet e qeta në Pekin tek përleshjet me policinë në rrugët e Guangzhout.
Demonstratat ishin shfaqja më të madhe e mosbindjes civile që kur presidenti Xi Jinping mori pushtetin një dekadë më parë.
Pavarësisht numrit gati rekord të rasteve, zëvendës-kryeministri Sun Chunlan, i cili mbikëqyr përpjekjet kundër COVID-it, tha se aftësia e virusit për të shkaktuar sëmundje po dobësohej. Komentet e tij kanë dallim të madh nga mesazhet e mëparshme të bëra nga autoritetet në lidhje me virusin. Më pak se 24 orë nga protestat e dhunshme në Guangzhou, autoritetet në të paktën shtatë distrikte, njoftuan heqjen e bllokimeve. Në një distrikt madje zyrtarët njoftuan se do të lejonin mësimin në shkolla, rihapjen e restoranteve dhe bizneseve të tjera, përfshirë kinematë. Por megjithë ndryshimin e tonit lidhur me COVID-in si përgjigje ndaj pakënaqësisë së madhe publike, autoritetet po vazhdojnë të marrin në pyetje pjesëmarësit në demonstrata.
Sipas ‘China Dissent Monitor’, drejtuar nga organizata ‘Freedom House’ që financohet nga qeveria amerikane, nga e shtuna deri të hënën, në të gjithë Kinën janë zhvilluar të paktën 27 demonstrata. Ndërsa sipas qendrës ASPI, një institut studimor me qendër në Australi, në Kinë janë zhvilluar 43 protesta në 22 qytete të vendit./Voa
Top Channel