Pyeti të ftuarën me ngjyrë për prejardhjen/ Kumbara e Princit William akuzohet për racizëm, jep dorëheqjen nga detyrat e pallatit mbretëror

30/11/2022 18:15

Kumbara e Princit William ka dhënë dorëheqjen nga detyrat e saj në Pallatin Buckingham, pasi bëri komente raciste në pritjen e organizuar nga pallati mbretëror.

Pyetjet e 83-vjeçares Susan Hussey ndaj një të pranishmeje për prejardhjen e saj u konsideruan “të papranueshme”.

“Natyrisht, unë nuk isha atje, por racizmi nuk ka vend në shoqërinë tonë. Komentet ishin të papranueshme dhe është e drejtë që individi është larguar me efekt të menjëhershëm”, tha një zëdhënës i Pallatit Kensington.

Nogzi Fulani, e cila është me ngjyrë, punon si avokate për të mbijetuarit e abuzimit në familje dhe e përshkroi shkëmbimin si shkelje të të drejtave të njeriut.

Ajo e ka treguar të gjithë situatën me detaje në lidhje me komunikimin që ata kanë pasur.

“Zonja SH ( Lady Hussey) mu afrua dhe lëvizi flokët për të parë badgen e emrit tim dhe më pas këmbënguli të më pyeste se nga cila pjesë e Afrikës vij”.

Më pas Fulani i ka treguar se është Britanike, ndërsa 83-vjeçarja ka këmbëngulur për të mësuar më shumë.

E gjithë kjo situatë e krijuar, sipas Sky Neës, është ndikuar edhe nga pretendimet e Meghan Markle për racizëm brenda familjes mbretërore.

Biseda e zhvilluar:

Zonja SH: Nga jeni?

Fulani: Sistah Space.

Zonja SH: Jo nga vini?

Fulani: Ne jemi të vendosur në Hackney.

Zonja SH: Jo, nga cila pjesë e Afrikës jeni?

Fulani: Nuk e di, nuk kanë lënë asnjë shënim.

Zonja SH: Epo, ju duhet ta dini nga jeni, unë kam kaluar kohë në Francë. Nga jeni?

Fulani: Nga këtu në Mbretërinë e Bashkuar

Zonja SH: Jo, por çfarë kombësie jeni?

Fulani: Kam lindur këtu dhe jam britanike.

Zonja SH: Jo, por nga vini vërtet, nga vijnë njerëzit tuaj?

Fulani: Njerëzit e mi, zonjë, çfarë është kjo?

Zonja SH: Oh, e kuptoj se do të kem një sfidë që të të bëj të thuash nga je. Kur erdhe për herë të parë këtu?

Fulani: Zonjë! Unë jam një shtetase britanike, prindërit e mi erdhën këtu në vitet ’50 kur…

Zonja SH: Oh, e dija që do të arrinim atje në fund, ju jeni Karaibe!

Fulani: Jo zonjë, unë jam me origjinë afrikane, me prejardhje nga Karaibe dhe me kombësi britanike.

Zonja SH: Oh, pra ju jeni nga ….

Fotografi e dosjes e datës 29/11/2022 e Ngozi Fulanit (në qendër majtas) në një pritje në Buckingham Palace, Londër. Avokatja e njohur me ngjyrë për të mbijetuarit e abuzimit në familje ka zbuluar se si ajo ishte pyetur vazhdimisht nga një anëtar i familjes së Pallatit Buckingham në pritjen e Queen Consort-it se nga vinte me të vërtetë. Data e lëshimit: e mërkurë 30 nëntor 2022.

Pallati mbretëror e ka konsideruar këtë ngjarje si incident i jashtëzakonshëm, mbi të cilin do të hetohet menjëherë.

“Ne e marrim këtë incident jashtëzakonisht seriozisht dhe kemi hetuar menjëherë për të përcaktuar detajet e plota.Në këtë rast janë bërë komente të papranueshme dhe thellësisht për keqardhje. Ne kemi kontaktuar me Ngozi Fulanin për këtë çështje dhe po e ftojmë që të diskutojë personalisht të gjitha elementet e përvojës së saj nëse dëshiron. Ndërkohë, individi në fjalë dëshiron të shprehë faljen e saj të thellë për lëndimin e shkaktuar dhe ka hequr dorë nga roli i saj i nderit me efekt të menjëhershëm. Të gjithë anëtarëve të familjes po kujtohen për politikat e diversitetit dhe përfshirjes, të cilat atyre u kërkohet të respektojnë në çdo kohë”, reagoi pallati mbretëror sipas Sky News.

Pas gjithë kësaj ngjarjeje Fulan tregoi se incidenti e ka bërë të ndihet keq, sidomos në një event ku ishte e ftuar edhe zonja e parë e Ukrainës Olena Zelenska dhe mbretëreshën e Jordanisë Rania.

“Nuk kishte askënd për ta raportuar atë. Nuk mund ta raportoja atë tek Queen Consort, plus ishte një tronditje e tillë për mua dhe 2 gratë e tjera, saqë ishim të shtangur nga heshtja e përkohshme. Unë thjesht qëndrova në skaj të dhomës, buzëqesha dhe u angazhova shkurtimisht me ata që më folën derisa mund të largohesha”, shkroi ajo.

Prezente gjatë gjithë kësaj bisede ka qenë edhe udhëheqësja e Partisë së Barazisë së Grave, Mandu Reid, e cila ka mbetur e shtangur.

“Ishte me të vërtetë e pakëndshme. Nëse Ngozi do të ishte një grua e bardhë, nuk ka mundësi të kishte ndodhur kjo linjë e marrjes në pyetje. Nuk është ajo që prisni”, tha ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA