Vetëm pak kilometra larg qytetit të Durrësit, banorë të një lagjeje të Sukthit përballen me probleme të theksuara në furnizimin me ujë të pijshëm.
Përfaqësues të komunitetit boshnjak në dhe banorë të fshatit Borake në Sukth kanë reaguar para ujësjellës kanalizimeve duke kërkuar zgjidhje nga kjo ndërmarrje, pasi dimri ka nisur dhe familjet e tyre përballen me mungesën e ujit dhe kushte të vështira për t’u furnizuar në një orar të vonë afër mesnatës.
Banorët tregojnë problemin për mikrofonin e Top Channel:
“Jemi lagja Kodër në Sukth dhe uji na vjen natën. Kemi bërë ankesë por askush nuk vjen. Na vjen një orë në darkë dhe shumë pak”
“Ne kemi ardhur për ujë. Jemi minoritet boshnjak, sikur na veçojnë për ujë. Gjysma e lagjes ka dhe gjysma jo. Edhe në minibashkinë e Sukthit jemi ankuar dhe s’na thonë gjë. Jam martuar dhe 20 vet martesë e kam vuajtur gjithnjë për ujë, sa t’i them dhe burrit ik.”
“Ne jemi muhaxhirë dhe nga një inat personal me dikë punonjësi i ujësjellësit atje na lë të gjithëve pa ujë. Uji ynë ka shkuar deri në Goxhas dhe asnjë nuk bën asgjë. Unë pensioniste, e sëmurë. Ccdo natë dal në 11 të natës të shoh kabinën a po rrjedh ujë se jam në kodër. Jam rrëzuar. Plakun në shtëpi sëmurë dhe s’ka kush të na mbushë ujë. Na vjen uji në 12 të natës dhe po vijnë ngricat.”
Përfaqësues të këtyre banorëve u takuan me drejtues të ujësjellës kanalizimeve në Durrës, por edhe pas bisedës me ta nuk morën zgjidhje për problemin e tyre.
“Asnjë lloj zgjidhjeje. Do mbani orarin që keni se nuk vjen uji te ne“, u shprehën banorët pas takimit.
“U themi të ndryshojnë skemën e furnizimit. Lagja poshtë nesh ka gjithë ditën ujë, ne njëherë në 48 orë një orë ujë me pompa, gjithë natën jashtë dhe me fëmijë të vegjël”.
“Kot luftojmë ne. Ka korrupsion dhe me ujin. E shesin”, thotë një tjetër banor.
Jo vetëm kjo lagje, në Durrës ka fshatra të tërë që ndodhen në zonën kodrinore dhe kanë probleme të theksuara dhe mungesë të furnizimit me ujë nga rrjeti i ujësjellësit.
Top Channel