Çmimet e  produkteve ushqimore pritet të ulen në Maqedoninë e Veriut nga pesë në 13 për qind, sipas Ministrisë së Ekonomisë,

Sipas medias portalb, rënie e çmimeve pritet për bukën, për të cilën një pjesë e furrave thonë se nga nesër do të mund të blihet për 32 denarë.

Ulje mbi 10 për qind është e mundur edhe për produktet e mishit nëse qeveria merr vendim që të heqë tarifat për lëndët e para të importuara, siç kërkojnë kompanitë e këtij sektori.

Ulje të çmimit të produkteve të qumështit pritet të ulen nga janari.

Ulja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë pritet, pasi nga nesër këta prodhues, përmes “ESM shitjes” duhet të marrin energjinë elektrike me çmim të subvencionuar, fiks prej 80 euro për megavat orë.

Kompanitë besojnë se do të ketë efekt çmimi i rregulluar i energjisë elektrike, i kombinuar me masën për marzhe në shitje me pakicë.

Mullixhinjtë janë ende të mendimit se me aktivizimin e rezervave të mallrave do të arrihet përfitim më i gjerë.

Stabilizim  të çmimeve të produkteve të qumështit, siç vlerësohet nga industria e qumështit, mund të ndodhë vetëm nëse fermerëve u jepet energji elektrike më e lirë.

“Prej nesër, 1 dhjetor, qytetarët do të mund të kenë bukë me çmim më të volitshëm prej 32 denarë, ndërsa në periudhën e ardhshme pas llogaritjeve do të rregullohen çmimet e produkteve të tjera të bukës, që do të ishin rreth 10 për qind në këtë sektor. Për të qenë në gjendje të plotësojmë edhe më shumë nevojat e qytetarëve dhe në të njëjtën kohë të mos rrezikojmë likuiditetin e kompanive, besojmë se aktivizimi i rezervave të mallrave është një masë që do të arrinte një përfitim më të gjerë. Sipas informacioneve që kemi për rezervat që kemi si shtet, duhet të mjaftojnë edhe për këtë periudhë dhe nuk duhet të ketë probleme të mëdha as në vitin e ardhshëm, sepse Serbia, ku bëhet importi më i madh, ka sasi të mjaftueshme. Për trendin e çmimeve të grurit nuk mund të jepen parashikime afatgjata paraprakisht, sepse është produkt në bursë dhe varet nga lëvizjet dhe zhvillimet më të gjera globale”, tha për MIA-n nënkryetari i Lidhjes së Odave ekonomike (LOE) dhe kryetar i Odës së Agrobiznesit, Goran Gjorgjievski.

Çmimet e produkteve të qumështit do të ulen pas Vitit të Ri

Sipas Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, produktet e qumështit që do të prodhohen nga 1 dhjetori e tutje, me energji elektrike të lirë, do të shiten pas Vitit të Ri.

“Industria e qumështit është specifike për shkak të proceseve më të gjata disamujore të prodhimit. Fermentimi për disa produkte, si djathi, zgjat dy deri në tre muaj. Ajo që do të prodhohet tani në industrinë e qumështit do të shitet nga janari e në vazhdim ose produktet e me energji më të lirë elektrike do të shiten pas Vitit të Ri. Është pak më ndryshe në industrinë e furrave, ku efektet pozitive dhe uljet e çmimeve mund të ndihen shumë më shpejt”, sqaron Oda ekonomike.

Nga aty theksojnë se çdo kompani do të ulë çmimet e produkteve në varësi të përqindjes së pjesëmarrjes së energjisë në produktin final, por me kusht që çmimet e lëndëve të para, ambalazheve dhe inputeve të tjera të mbeten të njëjta.

Kompanitë e industrisë së mishit, të cilat mbajtën takim pune këto ditë, konstatuan se përqindja e uljes së çmimit të produktit final do të varet nga përqindja e energjisë që merr pjesë në të.

“Kur çmimi i energjisë ishte më i larti, 500 euro për megavat orë, përbënte 15 për qind, ndërsa tani me çmime të reduktuara zë 2-8 për qind. Kjo vlen për industrinë e mullirit dhe të mishit. Vetëm për krahasim në lidhje me konkurrencën e produkteve ushqimore maqedonase në raport me produktet nga Serbia – në gusht dhe shtator, kur çmimi i energjisë elektrike ishte më i larti, pjesa e energjisë në produktin nga Serbia në krahasim me atë nga Maqedonia e Veriut ishte 1/10. Nëse në vendin tonë pjesëmarrja ishte 15 për qind, në Serbi pjesëmarrja më e lartë ishte 1.7 për qind. Në këtë moment, në çmimet tona të prodhimit, shteti me profesionet e tij merr pjesë me mbi 35 për qind (lënda e parë deri në 20 për qind), përfshirë energjinë, pa rroga. Prandaj aktualisht kemi çmime më të larta se ato përreth dhe gradualisht po humbasim tregun e brendshëm, si dhe prokurimin publik ku kriter i vetëm është çmimi”, sqaron Oda.

Industria e mishit, siç thotë Oda, nuk kërkon subvencione, por vetëm barazimin e kushteve të biznesit.

“Serbia ka tatimin 8 për qind, vendet e tjera nuk kanë taksë për mishin e ngrirë, ndërsa ne kemi nga 18 deri në 35 për qind varësisht nga numri tarifor. Qeveria i ka parë situatat e tilla, ka marrë masa të caktuara në atë drejtim dhe ato duhet të kryhen deri në fund për të realizuar qëllimin e përbashkët – që qytetarët të blejnë prodhime të mishit vendor të lirë dhe cilësor”, shtojnë nga Oda.

Kompanitë nga industria e mishit mirëpresin vendimin e Qeverisë për çmimin fiks të energjisë elektrike dhe njëkohësisht kërkojnë heqjen e detyrimeve për lëndët e para të importuara që nuk prodhohen në vend, masë e cila ka qenë aktive deri në qershor 2022.

“Qëllimi për uljen e çmimeve është i përbashkët – edhe i Qeverisë, edhe qytetarëve edhe i industrisë. Të gjithë do të jenë të kënaqur nëse ulja e çmimeve të përpunimit të mishit është sa më e madhe, për shembull mbi 10 për qind, gjë që mund të ndodhë menjëherë nëse merret vendimi për përjashtimin e tarifave të caktuara të lëndëve të para për përdorim përfundimtar për këtë periudhë krize, ndërsa për zgjidhje të përhershme të pranohet projektligji që i është dorëzuar Ministrisë së Financave dhe Qeverisë”, shtojnë nga atje.

Qeveria pretendon se ulja e çmimeve të produkteve do të jetë deri në 13 për qind.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ditë më parë, pas takimit me prodhuesit dhe përfaqësuesit e rrjeteve më të mëdha të tregut, tha se pret ulje të çmimit të produkteve ushqimore bazë nga pesë në 13 për qind në fillim të dhjetorit.

“Një prodhues i caktuar qumështi para 4-5 ditësh ka pasur çmim mbi 80 denarë, ndërsa sot është 76 denarë dhe me shumë mundësi nga 1 dhjetori do të ketë ulje të mëtejshme. Disa prodhues të bukës kanë çmime mbi 40 denarë, ndërsa sot variojnë nga 36 deri në 38 denarë. Dhe atje presim ulje të mëtejshme. E njëjta gjë vlen edhe për produktet e mishit”, nënvizoi ministri.

Ulja shtesë e çmimeve të produkteve bazë, siç theksoi ministri, do të bazohet në përfundimin e të gjitha procedurave në shitjet ESM për lidhjen e kontratave me kompanitë prodhuese të produkteve bazë ushqimore për furnizim me energji më të lirë elektrike.

Bekteshi shtoi se mund të ndodhë edhe rritje e çmimit të lëndëve të para të importuara, por, siç theksoi, ekzistojnë mekanizma të caktuar për stabilizimin dhe uljen e çmimeve.

“Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë, por fillimisht duam të shohim se ka vullnet që kriza të mos e bartin qytetarët, pra konsumatorët, por ta shpërndajmë të gjithë”, theksoi më pas ministri.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski paralajmëroi edhe ulje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë.

“Me masën e fundit të Qeverisë kemi siguruar energji elektrike më të lirë për kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë. Rezultatet tashmë janë evidente, prodhues të caktuar kanë ulur çmimin e bukës, ndërsa vaji për gatim te disa prodhues është ulur për 40 denarë. Pres deri në 10 për qind ulje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë në ditët në vijim. Kjo është kohë e përgjegjësisë, jo kohë e fitimit”, tha Kovaçevski.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA