Pas dy vitesh kërkim, është arrestuar në Spanjë 40-vjeçari Gentjan Funiqi (Doçi), i cili njihej me 3 emra të tjerë si Gentjan Martini, Festim Olomani dhe Rayko Ivanov, i akuzuar për marrjen peng të Jani Prengës.
I shumëkërkuari Gentjan Funiqi u arrestua nga Policia spanjolle, në bashkëpunim me palën shqiptare me qëllim ekstradimin. 40-vjeçari qarkullonte në Spanjë me dokumente të falsifikuara dhe në momentin e kapjes është prezantuar si shtetas bullgar me emrin Rayko Ivanov, madje kishte edhe drogë me vete.
40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”.
Në bashkëpunim me persona të tjerë, në vitin 2020, në Kamëz ka marrë peng Jan Prengën. Ekstradimi i tij në Shqipëri pritet të hedhë dritë për ngjarjen e bujshme të vrasjes së Prengës, trupi i të cilit ende nuk dihet ku është varrosur.
“Finalizohet, brenda 24 orëve të fundit, një tjetër operacion ndërkombëtar për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni policor i koduar “Seville” u zhvillua nga Policia spanjolle, në bashkëpunim me Policinë shqiptare. Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale, mes Policisë së Shtetit dhe Policisë spanjolle, u bë e mundur kapja në Spanjë dhe arrestimi me qëllim ekstradimi, i një shtetasi shqiptar shumë të kërkuar, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime kundër personit. I shumëkërkuari qarkullonte në Spanjë, me dokumente të falsifikuara. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara në bashkëpunim me homologët, falë punës hetimore të kryer nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, për lokalizimin dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, që janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale, me homologët spanjollë, në kuadër të operacionit “Seville”, u kap nga Policia spanjolle dhe u arrestua, me qëllim ekstradimi, shtetasi i shumëkërkuar G. F. alias G. M. alias F. O., 40 vjeç, nga Shkodra. Ky shtetas, në momentin e kapjes nga Policia, mbante një kartë identiteti bullgare të falsifikuar, me gjeneralitete R. I., dhe një sasi lënde narkotike, të cilat janë sekuestruar nga Policia. 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”. Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në vitin 2020, në Kamzë, Tiranë, ka marrë peng shtetasin J. P. Interpol Tirana po punon për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë”- njoftoi policia.
Çfarë dihet për rrëmbimin e Jani Prengës?
Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi me precedent penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz. Kjo, pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës vodhi një sasi kokaine në Portin Portsmouth të Anglisë, që u përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.
Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike. Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
Kush është Dritan Rexhepi, Gentian Funiqi dhe Altin Hajri?
Dritan Rexhepi listohet në një nga emrat më të kërkuar nga INTERPOL edhe pse ai vuan dënimin në burgun e Kuitos në Ekuador mbi të cilin rëndojnë dhjetëra akuza teksa kërkohet edhe nga Belgjika. Vlonjati kërkohet edhe në Shqipëri për një sërë ngjarjesh kriminale që nga droga e deri tek rrëmbimi.
Ai rezulton i dënuar me 13 vite burgim për trafik të 278 kg kokainë dhe grup i strukturuar kriminal. Sapo të përfundojë dënimin në Ekuador, Rexhepit, do ekstradohet në Shqipëri, ku është dënuar me 25 vite burgim, për vrasje e dy policëve në Fushë-Krujë.
Gentian Funiqi (Doçi) është pjesë e një prej bandave të Shkodrës, atë të “Dukagjinasve”. Altin Hajri është pronari i resortit “Golden” ku u mor peng Jak Prenga.
Top Channel siguroi edhe fotot para rrëmbimit të Jan Prengës, ku ky i fundit rreth orës 7:40 të mëngjesit të 17 janarit 2020 është së bashku me një grua në ambientet e një lokali. Ndërsa jashtë këtij lokali është një person që ruan lëvizjet që bënte Prenga. Nga fotot shihet se Jan Prenga ngrihet dhe largohet së bashku me gruan që pinte kafe me të, ndërsa ky ka qenë momenti i fundit që u pa në lagjen ku banonte, pasi më pas u rrëmbye në rrugën ‘London’ për t’u vrarë dhe më pas për t’u zhdukur.
Rrëmbyesit e transportuan nga Kamza me automjetin e vjedhur “Range Over”, në bodrumin e resortit “Golden”, nga ku më pas ai doli i pa jetë. Këto detaje dhe të dhëna i vërteton një kamera sigurie e këqyrur nga ekspertët e kriminalistikës, gjatë një hetimi intensiv. Gjithashtu ekspozoi një organizatë të njohur, bashkim i tre grupeve kriminale që vepron në fushën e trafikut të kokainës dhe që ka nisur veprimtarinë në Ekuador.
Top Channel