Gjykata rrëzon Prokurorinë/ Sulmi kibernetik nga Irani, “detyrim paraqitje” për pesë punonjësit IT që nuk azhornuan antiviruset

30/11/2022 12:15

Gjykata e Tiranës vendosi masën “detyrim paraqitje” për pesë punonjësit IT pranë Departamentit të Administratës Publike, të akuzuar për “shpërdorim detyre” pas sulmeve kibernetike nga Irani.

Sipas gazetares, Anila Hoxha, gjykatësja Ardiana Bera rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës, e cila kërkoi masën “arrest shtëpie” për punonjësit Rudina Llagami, Albi Gjeka, Altin Sallaku, Alketa Sulo dhe Igli Lubonja.

Ata janë angazhuar pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administratë.al.

Sipas prokurorisë, nëse ata do të kishin vepruar në përputhje me Rregulloren e Sigurisë së Informacionit dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do të ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t.

Gazetarja Hoxha u shpreh se hakerat tentuan dy vite që të hynin në sistemin e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Informacionit, por nuk arritën. Më pas ata përdorën rrugën alternative dhe hynë në sistemin e faqes administrata.al.

Personat e akuzuar janë:

Alketa Sulo – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Ministrinë e Brendshme;

Altin Sallaku– Përgjegjës, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;

Rudina Llagami – Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike;

Igli Lubonja– Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike; dhe

Albi Gjeka– Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkon masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për pesë punonjës IT pranë Departamentit të Adminiatratës Publike (DAP). Kërkesa bëhet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal për sulmin kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-t që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqipërisë. Punonjësit në fjalë janë angazhuar në pozicionin IT pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administratë.al.
Në rastin konkret, stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al. Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t. Këta persona me mosveprimet e tyre kanë sjellë pasoja të rënda dhe kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal. Prokuroria do vazhdojë hetimet për identifikim e plotë të çdo aktori apo subjekti të përfshirë në këtë veprimtari duke vënë para përgjegjësisë penale”, sipas Prokurorisë.

Kujtojmë se në korrik të këtij viti, shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht për shkak të sulmit kriminal kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga Irani.

Pas sulmit kibernetik të faqeve zyrtare online, hakerët sulmuan më pas sistemin TIMS, duke sjellë kaos prej javësh në pikat kufitare të vendit.

Pasi sulmuan sistemin TIMS në Shqipëri, hakerat iranianë publikuan një video në faqen ‘Homeland Justice’ në pikën kufitare të Rinasit, në momentin që policët zbuluan se kishin rënë pre e një sulmi.

Pas sistemit TIMS, grupi kriminal iranian publikoi të dhëna sensitive nga sistemi MEMEX, i cili përmban listën e personave të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale.

Më vonë, e-maile dhe të dhënat e ish-Drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano u publikuan sërish nga hakerët iranianë të “Homeland Justice”.

Pas Nanos, dolën të dhënat e drejtorit aktual të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe dy pasaportat e kryeministrit Edi Rama, një diplomatike dhe një e zakonshme si dhe udhëtimet e tij që prej vitit 2004 deri në maj të vitit 2022.

Hakerët para pak ditësh publikuan patentat me të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë të pajisur me leje drejtimi.

Kujtojmë se qeveria shqiptare mori vendimin që të dëbonte diplomatët iranianë në Tiranë pas kësaj situate të krijuar, duke njoftuar prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin.

Stafi i ambasadës la pa memorie serverin e kamerave të sigurisë dhe disa pajisje teknologjike në godinë, ndërsa dogji dokumentet që gjendeshin në zyra.

Top Channel