Fotoja nga kamerat e sigurisë/ Ky është autori që vrau 39-vjeçarin te Kodra e Diellit për hakmarrje

30/11/2022 19:56

Personi në foto është 39-vjeçari Vladimir Kola, i cili natën e 30 tetorit vrau bashkëmoshatarin e tij Briken Sanajn në rezidencën Kodra e Diellit në Tiranë.

Majtas, është fotoja e tij e siguruar nga gazetarja Dorjana Bezat nga kamerat e sigurisë një muaj më parë, ndërsa fotoja djathtas, i është dërguar autoriteteve ndërkombëtare për të bërë të mundur kapjen e tij.

Policia e Tiranës ka dokumentuar me prova ligjore ekzekutorin e ngjarjes së 30 tetorit, por edhe pas bashkëpunimit me Interpolin, kanë dështuar operacionet për kapjen e tij.

Bazuar në provat e siguruara, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për autorin dhe dy bashkëpunëtorët: Vladimir (Valmir) Kola, 39 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Shëngjin, Lezhë, i dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”; Gjelosh Krasniqi, 49 vjeç, lindur dhe banues në Peje, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe Kened Antoni, 25 vjeç, lindur dhe banues në Pejë, i dyshuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Ishte Kened Antoni ai që i shiti automjetin tip “Mercedez Benz” Gjelosh Kransiqit në datën 24 tetor, dhe po atë ditë mjeti është futur nga Kosovan ë Shqipëri dhe i është vënë në dispozicion Vladimir Kolës.

Atentati tronditi kryeqytetin në orët e vona të natës së 30 tetorit, ku viktima sapo ishte kthyer nga një dasmë në Lezhë.  Edhe pse zona ishte me siguri të shtuar dhe kamera,  së paku dy persona me një mjet ‘Benz’ me targa të vjedhura qëlluan për vdekje në derën e një garazhi 39-vjeçarin Briken Sanaj.

Para se të ndodhte atentati, Sanaj ka qenë duke mbyllur makinën te garazhi i pallatit ku jetonte dhe është takuar me tre persona të njohur në trotuar. Në momentin që ai ka zbritur nga makina, u qëllua për vdekje nga një distancë e afërt nga një makinë në lëvizje.

Makina tip “Benz” që përdorën autorët u gjet e djegur pas ngjarjes, në Qafë Kashar, ndërsa brenda saj u gjet një armë tip kallashnikov. Makina ishte me targa të vjedhura në Tiranë,  vetëm pak ditë para se të ndodhte atentati.

Ngjarja dyshohet se ndodhi për hakmarrje, pasi në vitin 2010 familja Sanaj ka pasur konflikt me familjen Kola për shkak të ngacmimit të një vajze. Konflikti u ashpërsua dhe vëllai i vogël i Briken Sanajt plagosi një prej djemve të familjes Kola.

Mes familjeve nisi një hasmëri që pavarësisht përpjekjeve për pajtim nuk u realizua. Ata bënin lëvizje të kontrolluara, për shkak të këtij konflikti dhe nuk ekspozoheshin në publik. Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar 4 automjete të përdorura nga autori i dyshuar, para dhe pas ngjarjes, 10 aparate celulare, si dhe pamje filmike që i shërbejnë hetimit. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA