Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka uruar popullin shqiptar me rastin e festës kombëtare.

Në pamundësi për tu gjendur në pritjen e posaçme me ministrat e kabinetit grek dhe trupin diplomatik të organizuar për këtë event prej ambasadores shqiptare në Athinë, Luela Hajdaraga, zoti Dendias i dërgon popullit shqiptar urimet më të përzemërta me rastin e festës kombëtare.

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias:

“Për shkak të ngarkesës sime të madhe nuk mund të ndodhem pranë jush me rastin e festës suaj kombëtare.

Me rastin e kësaj feste,më lejoni t’ju dërgoj urimet e mija më të përzemërta për prosperitet, suksese dhe progres për popullin shqiptar.

Të premten datë 2 dhjetor do të pres në Athinë homologen time shqiptare Olta Xhaçka dhe ndërkohë do të shoqëroj kryeministrin Mitsotakis në 6 dhjetor në tiranë në samitin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit kandidate për anëtarësim në BE.

Greqia dhe Shqipëria janë miq të hershëm dhe kemi lidhje tradicionale miqësie. Greqia dhe Shqipëria ndajnë mes tyre më tepër se kufijtë e përbashkët. Ndajnë historinë e përbashkët. Skënderbeu është hero kombëtar për të dy vendet tona. Të dy vendet kanë vuajtur shumë prej fashizmit në luftën e dytë botërore.

Për më tepër na lidhin minoriteti etnik grek që jeton në Shqipëri por edhe mijëra shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.

Ndërtojmë së bashku në këtë themel që do të lulëzojnë për të mirën e përbashkët. Jemi të vendosur të avancojmë bashkëpunimin tonë në sektorë të ndryshëm por njëkohësisht të zgjidhim çështjet e mbartura në bazë të së drejtës ndërkombëtare.

Dua t’ju përgëzoj për avancimin e dukshëm në axhentën tuaj europiane gjatë vitit 2022.

Jemi këtu të ndihmojmë Shqipërinë me çdo mënyrë për të shtyrë edhe më tepër rrugën e saj europiane. Duke pritur vazhdimësinë e bashkëpunimit tonë ju uroj për festën tuaj kombëtare”.

Mbrëmja gala e organizuar prej ambasadës shqiptare në Athinë ka pasur edhe edhe diskutime mbështetëse për vendin tonë prej ministrit grek të zhvillimit, ndërsa vlerësohet fakti se për herë të parë në këto festime kanë marrë pjesë një numër i lartë i pjesëtarëve të kabinetit Mitsotakis por edhe të opozitës greke.

Ministra të pranishëm: Kostas Ciaras-Ministër i Drejtësisë, Adonis Gjerogjiades-Ministër i Zhvillimit dhe Tregtisë, Kostas Skrekas-Ministër i Energjitikës, Lefteris Ikonomu-zv. Ministër i Mbrojtjes së qytetarit, prefekti i Atikës-Jorgos Patulis.

Top Channel