Fakultetet po mbeten bosh! Në Universitetin e Tiranës dhe në rrethe, janë disa mijëra studentë më pak

30/11/2022 15:09

Përveç Universitetit të Mjekësisë së Tiranës që është më i kërkuari nga të rinjtë diploma e të cilit ju shërben si pasaportë për të emigruar jashtë Shqipërisë, institucionet e tjera të arsimit të lartë vend po vuajnë nga rënia e numrit të studentëve.

Edhe pse vit pas viti kuotat tkurren, sërish ato nuk mbushen plotësisht. Universiteti i Tiranës nga 4902 vende në total, më shumë se 20% i ka mbetur bosh.

Më i rrezikuari është fakulteti i gjuhëve të huaja, por edhe fakulteti i shkencave të natyrës. Me këto ritme, kur me vështirësi plotësohet numri prej 10 studentësh në degë si kimia, fizika, matematika, parashikimet e ekspertëve tregojnë se në të ardhmen do të kemi mungesa në mësues profesionistë.

Pasojat e largimit jashtë Shqipërisë të familjeve shqiptare po i ndjen edhe Universiteti Bujqësor. Aty mungojnë 681 studentë, teksa 3 programe studimi peshkim agrobiologji dhe hortikulturë ku kishte vetëm 2 ose 3 studentë të regjistruar, edhe pse disa prej tyre shihen me prioritet kombëtar, nuk kanë mundur të hapen.

“Është një lajm i keq jo vetëm për universitetin bujqësor por për të gjithë bujqësinë të mbyllet hortikultura. S’do kemi më specialista për bujqësinë!”- tha pedagogu.

Sfida për të mbajtur gjallë degë me rëndësi kombëtare për institucionet e arsimit të lartë në rrethe është edhe më e fortë. Universiteti Aleksandër Xhuvani në Elbasan numëron 1243 mungesa të studentëve, e përafërsisht po aq është edhe numri i karrigeve të mbetura bosh në auditoret e universitetit Aleksandër Moisiu në Durrës.

Programet e studimit në histori e trashëgimi kulturore nuk janë më zgjedhjet kryesore të studentëve aty apo degë si drejtësia e shkencat politike.

Universiteti i Tiranës (Viti akademik 2022-2023): 4902 kuota gjithsej, 3774 kuota të plotësuara, 1128 kuota bosh.

Top Channel