“Arrest me burg” në ambientet spitalore për Arbër Tivarin, i akuzuar për aksidentin me dy viktima në superstradën Durrës-Tiranë.

Ky është vendimi i gjykatës së Durrësit, që u dha në ambientet e spitalit të Traumës në Tiranë, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore në të cilën ndodhet i arrestuari.

Gjyqtari Vladimir Skënderi ka pranuar kërkesën e prokurorit dhe vlerësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Tivarit dhe caktoi ndaj tij masën shtrënguese “Arrest me burg”.

Tivari është person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” e parashikuar nga neni 290/4 i Kodit Penal. Ky nen parashikon dënimin me burgim nga 5 deri në 20 vjet kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave.

Si pasojë e aksidentit të rëndë, fundjavën që sapo lamë pas, ndërruan jetë Roxhesa Klironomi 24 vjeçe dhe Silva Gjergji, 26 vjeçe, ndërsa u plagos rëndë dhe drejtuesi i mjetit tip Ford, Arbër Tivari.

I riu nga Durrësi humbi kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke u përplasur fillimisht me trafikndarësin dhe më pas me barrierat metalike anësore dhe përfundoi jashtë rruge.

Top Channel