Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se me marrëveshjen e fundit për çështjen e targave ka pranuar implementimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai në seancën e sotme të Kuvendit tha se cili është ndryshimi që ka sjellë kjo qeveri, e cila në fushatë thoshte që nuk e bën asociacionin, ndërsa sot në marrëveshjen e parë që e nënshkruan zotohet për implementim të tij.
“Palët e kuptojnë që të gjitha marrëveshjet paraprake të dialogut duhet të implementohen dhe asociacioni. A është ky ndryshimi tani qoftë se është ndryshimi prej të kaluarës, pse jeni pajtuar që të bëhet asociacioni? Mund të thoni se nuk është i mirë dhe kemi vërejtje, por të bëni fushatë se nuk do ta bëni, e në marrëveshjen e parë që e nënshkruani, zotoheni për implementim. Çfarë ndryshimi është ky? Ose na flitni për tabela se si janë hequr, e keni nënshkruar marrëveshje për t’i mbajtur ato. Kjo është e vërteta kundrejt universit paralel që ndërtoni ju”, tha ai.
Ai tha se dialogu është interes i Kosovës, jo sepse duhet bërë kompromise me Serbinë, por sepse duhet të kërkojmë marrëveshje finale që do t’i hapte Kosovës rrugët e ndërprera drejt integrimit euro-atlantik.
“Dialogu është interes i Kosovës, jo sepse duhet bërë kompromise me Serbinë, sepse duhet të kërkojmë marrëveshje finale që do t’i hapte Kosovës rrugët e ndërprerë drejt integrimit euro-atlantik, dhe në këtë rrugë Kosova duhet të sigurojë njohjen e vendeve mosnjohëse nga BE-ja dhe përtej tyre të sigurojë sa më parë anëtarësimin në NATO e hapjen e kapitujve për anëtarësim në BE. Herë apo vonë, çdo akter politik në këtë vend do të kuptojë rëndësinë e kësaj ndërlidhjeje politike që kapërcen kufijtë e diskutimeve tona të brendshme. Herët apo vonë të gjitha parullat tona partiake do të duken të papesha siç duken sot parullat e kërkim-faljeve para dialogut e sovranitetit, pa aleatë e prioriteteve”, theksoi ai.
Kreu i LDK-së në këtë interpelancë tha se dorëheqja institucionale e serbëve lokalë mund të prodhojë incidente të reja në vazhdimësi brenda territorit të Kosovës, e që kjo sipas tij është në interes së Serbisë.
“Në jemi në hall të vërtetë nëse vendimmarrja jonë shtetërore prihet nga euforia, mungesa e koordinimit apo moskuptimi i saktë i gjendjes në terren siç e kuptuam nga një intervistë e fundit e kryeministrit, dhe e dyta, ne jemi në vazhdimësi tani në potencial të pasjes së një gjendjes destabilizuese në vend nga dorëheqja institucionale e serbëve lokalë potencial që mund të prodhojë incidente të reja në vazhdimësi brenda territorit të Kosovës. Prodhimi i incidenteve të reja brenda territorit të Kosovës sërish është interes i Serbisë“, tha ai.
Top Channel