Për një mori arsyesh popullsia e Shqipërisë është plakur me gati 5 vjet në dekadën e fundit nga 2012-2022.
Mosha mesatare në këtë hark kohor nga 33 vjeç është bërë gati 38 vjeç.
Shqipëria renditet pas Moldavisë, për sa I përket ritmeve të plakjes së popullsisë.
“Moshat e reja mezi bëjnë një fëmijë. Prindërit tanë lindnin nga 6-7 fëmijë, tani nuk ka më”, tha qytetari.
“Padiskutim që procesi I plakjes së popullsisë këto 30 vjet ka qenë i pandërprerë. Në vitin 1990 mosha mesatare ishte 27 vjeç, tani pas 30 vjetësh mosha mesatare në Shqipëri është 38 vjeç. Ne nuk jemi akoma popullsia më e plakur e Evropës, sepse ka të tjerë që janë më të plakur se ne, por ne kemi ritmet e plakjes të shpejta. Ne po plakemi më shpejt sesa vendet e tjera si Portugalia, Spanja, Gjermania etj. Krahasohemi me Moldavinë dhe me disa nga republikat baltike që ashtu si edhe ne për arsye të ndryshme kanë një plakje të popullsisë. Disa nga arsyet që kanë çuar në plakjen e popullsisë janë rënia e lindshmërisë, planifikim preciz familjar, gjithashtu familja e sotme shqiptare nuk është ajo familja e dikurshme që I donte shumë fëmijët dhe donte të kishte sa më shumë kalamaj. Pa diskutim që është edhe kostoja e lartë e rritjes, edukimit, shkollimit. Një pjesë e mirë e çifteve nuk sjellin fëmijë të dytë në jetë. Ndërkaq niveli I lartë I papunësisë po bën që një pjesë e madhe e të rinjve e moshës riprodhuese të ikin nga Shqipëria. Po pëson një dëm të madh shtresa e mesme, po na ikin specialistët, mjekët, inxhinierët etj. Që kanë kushte ekonomike këtu në Shqipëri, por po ikin për një jetë më cilësore”, tha sociologu Gëzim Tushi.
“Po ikin të gjithë do të mbetemi ne flokë thinjurit në Shqipëri. Kam tre fëmijë që të tre kanë ikur jashtë. Këtu s’ka punë, siguri, standard jetese. Këtu nuk ka të ardhme”, thonë qytetarët.
Top Channel