Anëtari i PD-së në Kurbin, Van Rrica, i cili qëlloi me armë zjarri mbrëmjen e kaluar pas një konflikti gjatë takimit të demokratëve, ka rënë sot në prangat e policisë.

Dega lokale e selisë së PD-së në Kurbin po zhvillonte një mbledhje dhe gjatë saj, ka pasur një debat mes Kastriot Markut (Prenga) dhe Van Ricës, mbështetës i një kandidati që garon për primaret, nga ky subjekt politik për Kurbinin.

Në debat e sipër, Rica ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të derës dhe është larguar menjëherë nga ambientet e degës së subjektit politik.

Nga konflikti nuk ka asnjë të plagosur, ndërsa shërbimet e policisë shoqëruan disa persona të pranishëm gjatë konfliktit, për t’i marrë në pyetje.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar pistoleta, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Sipas policisë, ai akuzohet për veprat penale “Kanosja”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”

I arrestuari Van Rica

“Qëlloi me armë zjarri, gjatë një konflikti, arrestohet 53-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të veprimeve për konfliktin e ndodhur pasditen e djeshme, në zyrën e degës lokale të një subjekti politik, ku njëri prej anëtarëve ka qëlluar me armë zjarri, kanë vijuar kontrollet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim V. R. Si rezultat i kontrolleve, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit V. R., 53 vjeç, banues në Kurbin, punonjës i SHPSF-së. Ky shtetas, gjatë takimit për zgjedhjet primare, të zhvilluar nga dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin, pas një debati, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të derës dhe më pas është larguar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike“”, sipas policisë.

Top Channel