Nga Shkupi, presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, e bëri të qartë se se rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet lart në agjendën europiane, ashtu si edhe pritshmëritë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, kreu i shtetit gjerman e bëri të qartë se integrimi europian i vendit është i arritshëm. Ai nuk dha ndonjë afat për këtë, por theksoi nevojën e zbatimit të reformave të domosdoshme për anëtarësim në BE. Sa për çështjen e Kosovës, ai e vuri theksin tek fakti që plani i cili mund të çojë përpara marrëdhëniet dypalëshe, është farkëtuar në Berlin e Paris.
“Sa i përket marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, mudn t’ju them se i gjithë Bashkimi Europian është i interesuar që të mbërrijë sa më shpejt normalizimi i relatave mes tyre. Për këtë janë bërë edhe propozime. Gëzohem që propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe po pranohet. Kjo mund t’i inkurajojë palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”– u shpreh Steinmeier.
Propozimi i përmendur prej tij, i njohur publikisht si plani franko-gjerman – thuhet se parashikon disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis Prishtinës dhe Beogradit. Së fundmi, BE-ja kishte nisur t’i referohej atij si “propozimi i Brukselit”. Një plan i tillë, në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejshme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga blloku europian, ndërsa në Serbi thonë se ky plan nuk është në favor të saj.
Sipas presidentit serb Aleksandër Vuçiç, ai parashikon që Serbia të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të saj në BE.
Pas vizitës në Shkup, Steinmeier e vazhdon turin e tij ta parë zyrtar në të dy vendet me një ndalesë në Shqipëri, ndërsa deklaroi se arritjet e saj dhe të Maqedonisë së Veriut meritojnë njohje e respekt e shtoi se vizita synon të japë mesazhin, se nuk e harrojnë Ballkanin Perëndimor.
Top Channel