Një koncert madhështor i denjë për një yll me famë botërore, ishte ai që dhuroi mbrëmë në Tiranë Dua Lipa për 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Atmosfera e krijuar mbrëmjen e 28 nëntorit do të mbetet gjatë në mendjen e mijëra të rinjve e të rejave që mbushën plot sheshin Skënderbej për të parë duke performuar, Dua Lipën, e cila përmbylli në Tiranë turin e saj botëror “Future Nostalgia”.
Koncerti nisi më këngëtaren Elvana Gjata e cila ndezi atmosferën me këngën Kuq e Zi, dhe më pas nisi përfomancën e saj Dua Lipa me këngën “Physical”.Dua Lipa këndoi hitet e saj më të famshme të kombinuara me koreografi që përcillnin energji të pashterueshme ndaj publikut, i cili këndonte së bashku me të në çdo moment.
Dua Lipa shkëlqeu gjatë gjithë mbrëmjes por i veçantë ishte dhe momenti kur realizoi me duar shqiponjën dy krenare.
Koncerti i Dua Lipës në Tiranë bëri jehonë edhe në mediat britanike që shkruanin për perfomancën e saj dhe për përmbylljen e turneut “Future Nostalgia” me pjesëmarrjen e 200 mije personave. Po ashtu nuk u la pa përmendur edhe marrja e pasaportës shqiptare të Duas, gjatë qëndrimit të saj në Tiranë.
Dua Lipa e mbylli koncertin e mbështjellë me flamurin Kuq e zi dhe premtoi se do të rikthehej sërish ndërsa qielli skuqej nga fishekzjarret që shënoi mbylljen e një nate të paharrueshme.
Top Channel