Miratimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të jetë të mërkurën në rend dite në takimin e ambasadorëve të BE-së, në Bruksel.
Në takimin e këtij grupi, të njohur si Coreper, vendimi pritet të miratohet pa diskutim, pasi për tekstin e tij, vendet anëtare të BE-së janë pajtuar më 22 nëntor, në një takim të këshilltarëve për çështje të brendshme dhe drejtësi.
Teksti është përpiluar nga Çekia, e cila ka udhëheqjen aktuale të BE-së, pas disa takimeve të grupeve punuese dhe diskutimeve dypalëshe me vendet që kanë pasur vërejtje.
Sipas versionit të fundit, raporton Radio Evropa e Lirë, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.
Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.
Deri atëherë, Kosova duhet të synojë të ketë “marrëveshje apo aranzhime” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat nuk i ka.
Kosovës, po ashtu, i kërkohet të vazhdojë të përshtatë politikën e saj të vizave me atë të BE-së, ndërkohë që i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura të tjera që i kërkojnë vendet anëtare.
Top Channel