Hungaria pret që muajin e ardhshëm Brukseli të heqë embargon ndaj fondeve të ngrira për rimëkëmbje nga COVID-i dhe pret që t’ia dorëzojë ato më 2023, nëse plotësohen kushtet.
Kështu deklaroi më 29 nëntor kryenegociatori i Budapestit me Bashkimin Evropian, Tibor Navracsics.
Zyrtarët e Komisionit Evropian deklaruan javën e kaluar se blloku ende nuk e pranon se Hungaria ka bërë përparim të mjaftueshëm në reformat kundër korrupsionit dhe ato në fushën e gjyqësorit që të hiqet pezullimi i fondeve.
Pozicioni zyrtar i bllokut për zhbllokimin e fondeve pritet të bëhen publik të mërkurën, ndërkaq vendimi përfundimtar do të merret nga ministrat e Financës dhe Ekonomisë, të cilët do të takohen muajin e ardhshëm.
“Ne po presim dritën e gjelbër nga Komisioni se ne kemi përfunduar negociatat… në dhjetor”, tha Navracsics për gazetarët në Budapest.
“Skenari realist” është që blloku do të miratojë me kusht planin e rimëkëmbjes së Hungarisë pas pandemisë në vlerë prej 5.8 miliardë eurosh, tha Navracsics.
Ai tha se beson që blloku do të vazhdojë pezullimin e fondeve prej 7.5 miliardë eurosh derisa Budapesti të plotësojë të gjitha kushtet.
Hungaria po shpreson që “vitin e ardhshëm, të gjitha fondet e pezulluara të BE-së të jenë në dispozicionin tonë”, tha ai.
Brukseli vazhdimisht është përplasur me kryeministrin e krahut të djathtë të Hungarisë, Viktor Orban, dhe me Qeverinë e tij, pasi blloku argumenton se autoritetet hungareze po përbuzin demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Budapesti shpesh kritikon Brukselin, përfshirë edhe sanksionet që BE-ja ka vendosur ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Navracsics tha se një rezolutë e miratuar javën e kaluar nga Parlamenti Evropian ka bërë thirrje që fondet të vazhdojnë të jetë të bllokuara dhe sipas tij, kjo ka bërë që “disponimi politik” në Bruksel të jetë kundër Hungarisë.
Nëse fondet për planin e rimëkëmbjes nga pandemia e koronavirusit nuk zhbllokohen deri në vitin e ri, 70 për qind e këtyre fondeve do të humben.
Muajin e kaluar, Parlamenti hungarez nisi miratimin e reformave për luftën kundër korrupsionit, përfshirë edhe themelimin e një “autoriteti të pavarur” për të kontrolluar më mirë përdorimin e fondeve të BE-së./Radio Evropa e Lirë
Top Channel