Pas pothuajse tre vjetësh të kufizimeve të ashpra ndaj COVID-it, lideri kinez Xi Jinping po përballet me një nga sfidat më të mëdha, pasi dhjetëra mijëra persona kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër kontrolleve të pa kompromis dhe shtypjes së lirisë së shprehjes.
Skena të rralla dhe tronditëse u panë pasi protestat nisën më 25 nëntor dhe që atëherë janë përhapur në të paktën 16 vende në mbarë Kinën, përfshirë në kryeqytet, Pekin, dhe në qendrën financiare, Shangai.
Shprehja e pakënaqësisë i drejtohet politikës kufizuese të Kinës “zero COVID”, të urdhëruar nga Partia Komuniste në pushtet. Kjo politikë ka lënë miliona persona të mbyllur në shtëpitë e tyre, ka dërguar njerëzit në qendra të karantinimit apo i ka ndaluar që të udhëtojnë, teksa banorët janë detyruar që t’iu nënshtrohen testimeve të pafundme, izolimeve dhe vëzhgimit.
Por, vala e mosbindjes civile pasqyron gjithashtu vite të tëra të zhgënjimit me dëmet e shkaktuara nga politikat sociale dhe ekonomike, që po bëhen më të pakuptimta për qytetarët e zakonshëm, teksa pjesa tjetër e botës doli nga kufizimet e pandemisë.
Derisa protestat u përhapën me shpejtësi, në videot e publikuara protestuesit në Shangai dëgjohen duke brohoritur “Xi Jinping, largohu nga pushteti. Partia Komuniste Kineze, largohu nga pushteti”. Ndërkaq, në video të tjera dëgjohen thirrje për më shumë të drejta demokratike dhe për më shumë liri të shprehjes.
“Kjo e ndryshon lojën për Partinë Komuniste”, tha për Radion Evropa e Lirë, Alicia Garcia-Herrero, shefe e ekonomistëve për Azi Paqësorin në bankën për investime Natixis.
Kjo sfidë e hapur nga qytetarët shënon një moment kyç për Kinën.
Jo vetëm që paraqet një zemërim në rritje të publikut ndaj autoriteteve kryesore të shtetit, por po ashtu vjen në kohën kur rastet me COVID po rriten gjatë dimrit dhe kur variantet e transmetueshme janë në qarkullim. Me njerëzit që janë gjithnjë e më sfidues ndaj masave më ekstreme të Qeverisë për të mbajtur nën kontroll virusin, si do të përgjigjet Xi?
Zemërimi lidhur me rregullat e COVID-it është akumuluar për muaj të tërë, por katalizatori për shpërthimin e menjëhershëm të mospajtimit duket se ka qenë vdekja e dhjetë personave, përfshirë tri fëmijë, pas shpërthimit të zjarrit në një ndërtesë shumëkatëshe në Urumqi, kryeqytet i rajonit perëndimor të Kinës, Ksinjiang.
Banorët fajësuan masat e lidhura me izolimin, që thanë se penguan përpjekjet e shpëtimit dhe parandaluan zjarrfikësit që të afrohen pranë ndërtesës që u përfshi nga zjarri.
Më 25 nëntor, zyrtarët mohuan se kufizimet për COVID-19 ishin faktorë në vdekjen e dhjetë personave dhe duket se ua lanë fajin banorëve, duke thënë se “aftësia e tyre për të shpëtuar veten ishte e dobët”. Kjo përgjigje rriti zemërimin që u shfaq në platformat e rrjeteve sociale dhe më pas protestat nisën në Urumqi.
Përderisa zjarri duket se ka qenë pika e kthesës, politikat strikte të COVID-it që aplikon Kina, për një kohë të gjatë kanë qenë burim i rritjes së tensioneve.
Në shtator, një autobus që po transportonte njerëz për në qendrën e karantinimit në Guizhou, u përplas dhe la të vdekur 27 persona. Kjo ngjarje u pasua me përplasje midis mijëra punëtorëve dhe policisë në një fabrikë të Apple në Zhengzhou, ku punëtorët larguan barrikadat dhe kërkuan që rregullat ngufatëse të hiqen.
Autoritetet kineze kanë mbrojtur strategjinë e tyre “zero COVID”, me qëllim që të pengojnë përhapjen e virusit sa më shpejt që të munden dhe të izolojnë të gjitha rastet pozitive, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për të parandaluar shpërthimet e reja të virusit, rastet e rënda dhe vdekjet.
Përderisa Kina ka zhvilluar një fushatë të vaksinimit, ata që janë imunizuar kanë marrë vaksina të prodhuara në vend që kanë rezultuar të jenë më pak efektive kundër variantit më infektues Omicron, dhe zyrtarët kanë frikë se lehtësimi i kufizimeve do të ngarkonte sistemin e kujdesit shëndetësore. Kjo qasje ka lënë gjithashtu popullsinë e Kinës prej 1.4 miliard banorësh me një nivel të ulët të imunitetit natyral.
Protestat aktuale kanë shpërthyer në shumë qytete kineze dhe disa kampuse universitare po shërbejnë si pika kyçe të protestave.
Turmat u mblodhën në Akademinë e Arteve Xi’an, duke mbajtur ndezur telefonat e tyre, si pjesë e një ceremonie për nderimin e të vdekurve në Urumqi, u tha në postimet në rrjetet sociale. Gjetkë, në ueb-faqet e universiteteve janë shfaqur studentë duke vendosur lule dhe duke mbajtur fletë të bardha, që janë shndërruar në simbol.
Protestat në Kinë nuk janë të rralla, pasi ka demonstrata të kufizuara për çështje që lidhen me sektorin bankar, korrupsionin në nivel lokal e për të drejtat e punëtorëve, dhe të njëjtat organizohen në mbarë vendin. Por, ekspertët kanë theksuar se shkalla dhe përhapja e protestave aktuale u jep atyre një karakter tjetër.
“Shkaku kryesor i këtyre protestave është pakënaqësia e drejtpërdrejtë me politikën e Qeverisë qendrore dhe të Xi Jinping për COVID-in – jo për ndonjë çështje lokale”, tha për REL-in, Sari Arho Havren, eksperte për Kinën në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë George C.Marshall, me seli në Gjermani.
“Përhapja spontane e protestave në qytete të mëdha paraqet një sfidë të qartë për Partinë Komuniste”.
Qeveria ka ndërtuar një sistem të fortë të represionit të bazuar në polici, vëzhgim dhe censurë dhe në të kaluarën ka vepruar shpejt për të shtypur pakënaqësitë.
Përderisa protestat pro-demokracisë që u mbajtën më 2019 në Hong Kong ishin më të mëdha, protestat aktuale janë disa prej më të mëdhatë në territorin e Kinës që nga protestat e pro-demokracisë më 1989, që u përhapën në mbarë vendin dhe përfunduan me shtypje të përgjakshme dhe masakër rreth sheshit Tiananmen të Pekinit.
“Shumë njerëz në Kinë nuk idealizojnë demokracinë e stilit Perëndimor”, tha për REL-in, Kerry Brown, drejtor i Institutit Lau Kina në Kolegjin Mbretëror të Londrës.
“Por, ata duan një qeveri që i mban premtimet sa i përket politikave që kanë në qendër qytetarët, politika të cilat nuk po zbatohen aktualisht”.
Të gjithë janë duke shikuar mënyrën sesi Qeveria kineze do të veprojë për t’u përballur me zemërimin e publikut dhe nëse do të tentojë të ndryshojë politikat e ashpra të saj sa i përket COVID-it.
“Nëse protestat nuk shuhen shpejt vetë dhe në vend të kësaj nisin të shpërndahen edhe më shumë, ne mund të presim një shtypje të fortë si përgjigje ndaj tyre”, tha Havren.
Një artikull i publikuar në të përditshmen shtetërore People’s Daily më 27 nëntor, bëri thirrje për një “angazhim të palëkundur” ndaj rregullave aktuale kundër COVID-it. Ndërkaq, në një konferencë për media të mbajtur po të njëjtën ditë, zyrtarët në Urumqi deklaruan se operimi i transportit publik do të riniste pjesërisht si pjesë e përpjekjeve për të hequr gradualisht masat e izolimit.
Në Shangai, policia mori vendim që të ndalojë një protestë dhe mbylli rrugët pasi u përlesh me protestuesit, duke arrestuar disa prej tyre. Në mëngjesin e 28 nëntorit, autoritetet në Shangai u panë duke vendosur pengesa të larta përgjatë rrugës ku më herët ishin zhvilluar protesta.
Disa protesta u shpërndarë në mënyrë paqësore në mbarë Kinën, ndërsa në disa vende policia dhe zyrtarët penguan tubimet dhe arrestuan protestuesit, duke i futur nëpër furgonë.
Gjetkë, zyrtarët kinezë kanë qenë të heshtur lidhur me protestat ose kanë mohuar se ato po mbahen.
Gjatë një konference të rregullt me gazetarë më 28 nëntor, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha se Kina nuk është në dijeni të ndonjë proteste jashtë vendit që bën thirrje për dhënien fund të politikës “zero COVID”, dhe shtoi se Kina beson se lufta kundër COVID-it do të jetë e suksesshme me udhëheqjen e partisë dhe me bashkëpunimin e qytetarëve.
Analistët e tjerë po shikojnë se në çfarë rrethanash do të mundet Qeveria të lehtësojë apo të heqë dorë nga strategjia e saj për COVID-in në mënyrë që të qetësojë protestuesit.
Në analizën e fundit, banka e investimeve Goldman Sachs tha se Kina ka 30 për qind shans që të rihapet para çerekut të dytë të vitit 2023. Aktualisht, politikat kanë ngadalësuar ekonominë kineze dhe investitorët janë bërë më të kujdesshëm.
“Nëse politika ‘zero COVID’ vazhdon, ne do të shohim një ngadalësim të ekonomisë në Kinë gjatë vitit të ardhshëm. Ky do të ishte një lajm i keq për botën pasi do të ngadalësonte ekonominë globale”, tha Garcia-Herrero.
Qëllimi i Qeverisë kineze është që të ndalë përhapjen e virusit, por aktualisht është i pamundur të arrihet pa masa të ashpra. Siç kanë theksuar analistët e Bloomberg, heqja e të gjitha kufizimeve do të bënte që rastet me koronavirus të rriteshin në mënyrë dramatike dhe do të bënte që 5.8 milionë banorë t’i nënshtroheshin kujdesit intensiv.
Analistët sikurse Garcia-Herrero presin që të ketë një fuqizim të fushatës së vaksinimit, që do t’i paraprite një lehtësimi të mundshëm të masave në të ardhmen.
“Nuk pritet një ndryshim i menjëhershëm, por një program i përshpejtuar i vaksinimit, veçanërisht i vaksinimit të të moshuarve, mund të jetë në agjendë”, tha ajo.
Po ashtu, pritet të ketë një llogaritje politike për Xi se kë të mbështesë përballë protestave publike dhe të largohet nga një politikë që ai e ka mbrojtur, tha Havren. Ajo tha se autoritetet kombëtare mund të tentojnë që të fajësojnë zyrtarët lokalë për incidentet që kanë nxitur zemërim.
“Kjo mund të jetë mënyra se si Xi Jinping – pronari i politikës ‘zero COVID’ – mund të hedhë fajin diku tjetër”, tha ajo. “Disa qytete veçse kanë lehtësuar rregullat e tre dhe përqendrimi i narrativit të zyrtarëve duket se bazohet në gabimet që janë bërë nga niveli lokal”.
Kerry Brown nga Kolegji Mbretëror i Londrës, që ka shërbyer si diplomat britanik në Kinë, shtoi se Pekini do të tentojë të balancojë midis qetësimit të protestave dhe të bëjë që protestuesit të ndiejnë se ankesat e tyre janë dëgjuar nga autoritetet.
“Nëse Qeveria ndërmerr një qëndrim ekstrem të represionit, ka gjasa që situata të përshkallëzohet dhe të ketë më shumë dhunë”, tha ai.
“Por, dyshoj se Qeveria do të synojë që të rigrupohet duke bërë atë që bën zakonisht: duke qetësuar pjesërisht njerëzit dhe duke i shtypur pjesërisht ata”, shtoi ai./ Radio Evropa e Lirë.
Top Channel