Edhe në Durrës është përkujtuar Dita e Çlirimit të Shqipërisë gjatë një ceremonie të zhvilluar në Mauzoleumin e Dëshmorëve.
E organizuar nga Bashkia e Durrësit, ceremonia e 78-vjetorit të Çlirimit të vendit bëri bashkë drejtues të pushtetit vendor, deputetë dhe familjarëve të veteranëve për të nderuar kujtimin e atyre që luftuan dhe dhanë jetën për çlirimin e vendit nga pushtuesi.
Familjarët e veteranëve kanë sjellë në vëmendje kujtimet e tyre për luftën heroike dhe ata që dhanë jetën e tyre për liri.
Politika vijon të jetë e ndarë në përkujtimin e kësaj dite.
Durrësi është në qendër të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore, pasi ishte qyteti nga ku filloi historia e luftës nacionalçlirimtare, më 7 prill 1939.
Më pas, komanda gjermane e konsideroi Durrësin qytet të lëvizjes antifashiste dhe ndërmori operacionin e koduar “Shëtitje në port”. Gjatë tij banorët u detyruan me forcë të braktisnin qytetin, ndërsa të rinjtë u internuan në kampet e përqendrimit, ndërsa qyteti dhe vija bregdetare u minua.
Ky operacion përbën dhe një rast unik në historinë e Luftës së Dytë Botërore, duke dëshmuar rëndësinë e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë për shkak të pozicionit të saj gjeostrategjik dhe rezistencës.
Gjatë ceremonisë u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan gjithçka për lirinë e vendit.
Top Channel