Hetimi për kokainën e sekuestruar në Frakull të kanë zbuluar dhe itinerarin që lënda narkotike do të ndiqte pasi të ndahej nga plehu kimik i ardhur nga Amerika Latine  duke kaluar në portin e Pireut në Greqi dhe Tivarit në Malin e Zi.

Mali i Zi dyshohet se ishte destinacioni i 430 kg të kokainës së magazinuar në 24 ton pleh kimik në Frakull të fierit. Hetuesit e zbuluan pas përgjimeve për gati 3 muaj të 10 personave të përfshirë në ngjarje.

Partnerët malazezë po thellojnë hetimet për të zbuluar porositësit dhe pritësit në vendin e tyre.  Burime për Top Channel thonë se në Malin e Zi autoritetet kanë shpallur persona në kërkim por për shkak të sekretit hetimor emrat e tyre nuk bëhen të ditur.

Përgjimet dhe vëzhgimet gati 3 mujore përveç kokainës parandaluan dhe një vrasje që dyshohet se do të kryhej nga 4 prej personave të arrestuar.

Arrestimi i Bledar Matoshit të dënuar më parë për armëmbajtje, Kid Koshenës e Klajdi Vrionit të dënuar për plagosje si dhe  Redion Meshit në zonën e Shkallëve të Tujanit zbuloi se të rinjtë po udhëtonin drejt Dibrës me një mjet “Range Rover” Brenda të cilit kishin fshehur dy pistoleta.

Autoritetet nuk kanë zbuluar objektivin e sulmit të tyre por kanë perceptuar një plan dhe kanë parandaluar ngjarjen. 4 të rinjtë u arrestuan një ditë para ndërhyrjes në Frakull dhe për të mos dekonspiruar operacionin u njoftua arrestimi i tyre vetëm për armëmbajtje.

Top Channel