Nju Jork: Daullja afrikane ‘djembe’ ofron ritëm dhe miqësi

27/11/2022 22:17

Një grup muzikantësh, çdo fundjavë, luan në Parkun Qendror (Central Park) të qytetit të Nju Jorkut për të sjellë ritmin afrikan në qytet dhe për t’u mësuar të tjerëve se si të bëjnë të njëjtën gjë.

Anëtarët e Skuadrës së Luanëve të “Central Park”, çdo fundjavë i bien daulles afrikane “Djembe”. Grupi u krijua nga Jon Phillips, Lewis Rodriguez dhe Baba Azizi.

“Kushdo që i bie daulles dhe dëshiron të luajë me ne, vjen këtu. Është si një familje e madhe. Të gjithë njujorkezët, njerëz nga të gjitha anët, vizitorët dhe turistët, vijnë këtu”, thotë anëtari i grupit, Lewis Rodriguez.

Për Jon Phillips, të luash është një mënyrë për t’u lidhur jo vetëm me të tashmen, por edhe me paraardhësit e tij afrikano-amerikanë.

“Kjo është e vetmja kulturë me të cilin mund të lidhem. Nuk e flas gjuhën. Nuk di suahili e as arabisht. Kjo është ajo që më lidh me atë kohë, me paraardhësit e mi”, thotë anëtari i grupit, Jon Phillips.

Ata vendosën ta emertojnë grupin pasi kuptuan se kishin të njëjtën shenjë astrologjike: Luanin. Me kalimin e kohës, grupi i tyre është rritur, në disa fundjava duke arritur deri në mbi njëzet muzikantë.

“E nisëm me tre dhe më pas u rritëm. Tani bëjmë muzikë pa e humbur asnjë të shtunë apo të diel”, tha Baba Azizi, pjesëtar i Skuadrës së Luanëve.

Grupi i mirëpret të gjithë ata që vijnë këtu me dëshirën për të bërë muzikë.

“Është e mrekullueshme të jesh një nga gratë e pakta të grupit. Të gjithë burrat janë mikpritës. Anëtarët e grupit ju ndihmojnë të mësoni ritmet. Është jotradicionale dhe shumë prej ritmeve na vijnë krejt natyrshëm. Këtu ka energji dhe atmosferë të mirë” tha Nikki Happi, një nga pjesëtaret e Skuadrës së Luanëve.

Duke u mbështetur në historinë dhe ritmin, këta tre muzikantë krijojnë tinguj të veçantë që mbeten në zemrat e të gjithë atyre që dëgjojnë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA