6 janë subjektet politike që paraqitën sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ne Kosovë aplikimet e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të vendit – Mitrovicë e Veriut, Leposavic, Zubin Potok dhe Zveçan – të cilat do të mbahen me 18 dhjetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, njoftoi se dita e premten shënonte dhe fundin e periudhës së aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto zona.

Në aplikimin për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës, nuk ka marrë pjesë ndërkohë partia kryesore e serbëve në vend.

Lista Serbe dha dorëheqje nga të gjitha institucionet në komunat veriore të Kosovës, e po kështu mandatin e dorëzuan edhe 10 deputetët e saj në Kuvend, të cilët megjithatë u zëvendësuan në 17 nëntor nga nëntë persona të tjerë nga lista zgjedhore e po këtij subjekti politik, si dhe një nga lista zgjedhore e Iniciativës qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Dorëheqjet pasuan pezullimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për veriun, Nenad Gjuric, për shkak se ai kishte kundërshtuar të zbatonte masat e Qeverisë së Kosovës për targa serbe.

Top Channel