Kryeministri Albin Kurti, deklaroi se Kosova do të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në BE në muajin dhjetor.
Kështu u shpreh Kurti në një intervistë me gazetarin e njohur Michael Matens, i cili është korrespodent në Frankfurter Allgemeine Zeitung. Martens, sot ndau në Twitter disa pjesë nga intervista me Kurtin, e cila ende nuk është publikuar e plotë.
Kurti tha se është pajtuar për një kompromis për “krizën e targave” pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë se situata në veri të Kosovës “mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”.
Ambasadori amerikan “kishte më shumë informacion se unë” për situatën në veri”, theksoi Kurti, duke përmendur “shqetësime për sigurinë” pa hyrë në detaje.
Ndryshe, pala kosovare dhe ajo serbe, të mërkurën (23 nëntor) kanë arritur marrëveshje lidhur me targat, ka konfirmuar përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.
“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, ka shkruar Borrell në Twitter.
Top Channel