SPAK: Kapëm 430 kilogram kokainë! Droga mes plehut organik, financues i trafikut është një ndërtues

25/11/2022 11:31

Ndërtuesi Nikolin Gjolena dhe 10 persona të tjerë konsiderohen si pjesë e trafikantëve që përmes tonelatave me pleh kimik futën në Shqipëri kokainë me vlerën gati 40 milionë euro.

Sipas planeve, ngarkesa do përpunohej në një laborator të improvizuar në Frakull të Madhe përmes ekspertizës së një kimisti kolumbian që hyri në vendin tonë pak javë më parë dhe vazhdon të jetë në kërkim.

Së bashku me të SPAK identifikoi pritësit që i hapën derën kokainës dhe që janë me rol kryesor në grup si Viktor Çervanaku ish-kryetar komune, aktualisht drejtor drejtorie në OSHEE, i biri Denisol Çervanaku dhe i vëllai Zenel Çervanaku që rezulton administrator i firmës që do furnizohej me pleh kolumbian.

“Në portin e Kolumbisë ishte ngarkuar një sasi me pleh organik artificial, ngarkuar në konteiner me destinacion Pireun e Greqisë, tranzit për në portin e Barit, Mal i Zi me porosi të shtetas shqiptar të Shqipërisë”  – u shpreh Prokurori, Adnan Xholi.

Nga hetimet komplekse ku përfshihen dhjetëra orë përgjime dhe vëzhgime, SPAK dyshon si financues kryesor shtetasin Nikolin Gjolena, i cili rezulton si personi që mblodhi të gjithë protagonistët e tjerë në këtë narkotrafik me vend origjine Kolumbinë dhe destinacion Shqipërinë.

Katër të tjerët ranë në përgjime gjatë tre muajve hetime, teksa shoqëruan kamionët të armatosur, por pavarësisht identifikimit prangosja e truprojave të kokainës u krye një ditë më parë teksa ata dyshohet se po përgatisnin një vrasje.

“Kanë vijuar sërish veprimet e zhdoganimit, veprimet e transportit, zhvendosjes së ngarkesës në disa qytete dhe vende të ndryshme në Shqipëri, deri në ditën e djeshme”, – vijoi më tej prokurori Xholi.

Policia aktivizoi 60 oficerë që vëzhguan e ndoqën trafikantët, të cilët kanë bashkëpunëtorë në Kolumbi disa shtetas shqiptarë të identifikuar dhe të shpallur në kërkim.

Top Channel