Si ndahet “torta” 1.3 mld euro! Lekaj-Fier, kush janë 8 kompanitë që ndërtojnë rrugën e florinjtë

25/11/2022 19:32

1.3 miliardë euro të ardhura parashikohen të mbledhin kompanitë sipas skenarit bazë nga taksa e rrugës Lekaj-Fier.

Fituese të këtij koncesioni 35-vjeçar për ndërtimin e këtij aksi rrugor janë tetë kompani të shpallura në një të vetme. Por, kush janë këto kompani dhe si ndahet torta 1.3 miliardë euro e arkëtimeve nga kjo taksë?

Udhëheqëse e këtij bashkimi kompanish është Fusha, zotëruesi i së cilës është Shkëlqim Fusha.

Agbes Construction është kompania tjetër fituese e tenderit të ndërtimit të kësaj rruge 46 kilometër me administratorë Arben Goga dhe Bashkim Ramaj, ndjekur nga Kupa Sh.P.K zotëruesi i së cilës është Shkelqim Kupa.

Por, nga të ardhurat që do të gjenerohen nga taksa që do të vendoset për kalimin e këtij aksi rrugor do të përfitojnë edhe Ante Group, e zotëruar nga 5 persona, kompania Klodioda SHPK me administrator Ylli Karapici si dhe kompania Altea & Geostudio 2000 një kompani e specializuar në fushën e gjeoteknikës dhe analizave laboratorike të materialeve të ndërtimit e drejtuar nga Skënder Allkja.

Sphaera me objekt të veprimtarisë së saj projektime, mbikqyrje dhe kolaudim të punimeve të ndërtimit dhe administrator Ajkid Topore është kompania e tetë që do të përfitojnë nga 1.3 miliardë euro që pritet të mblidhen nga kalimi përmes rrugës Lekaj-Fier.

Vlera e investimit për ndërtimin e këtij segmenti rrugor me gjatësi prej 46 kilometër, e cila do të kalojë në gjurmën e rrugës ekzistuese është 320 milionë euro. Vetëm 3.2 kilometra rrugë do jetë në shtrat të ri ndërsa e gjithë pjesa tjetër kalon në një rrugë të asfaltuar dhe të ndërtuar vetëm vitet e fundit. Koncesionarit i ngelet shumë pak për të ndërtuar, mbikalimet dhe një rrugë dytësore atje ku ajo mungon. Ndërkohë që do mbledhë 1.3 miliardë euro për 35 vite të koncesionit

Top Channel