Foto/ Një nga jahtet më të bukura në botë! “Perla e zezë” furnizohet me naftë në portin e Durrësit

25/11/2022 14:38

I ashtuquajturi turizmi i naftës sjell në Durrës “Perlën e zezë”, një nga jahtet më të mëdha dhe më të bukura në botë.

Superjahti ka mbërritur në portin e Durrësit për të përfituar nga lehtësitë që ofron vendi ynë për furnizimin me karburant dhe hyrjen në kufi për shtetasit e huaj. “Perla e zezë” do të qëndrojë deri në mbrëmje në portin më të madh të vendit dhe pasi të ketë kryer shërbimet për të cilat ka mbërritur, furnizimin me naftë në çmimin e bursës dhe ndërrimin e ekuipazhit, do të largohet për të vijuar lundrimin e saj.

I ndërtuar në vitin 2018, superjahti me vela dhe 106.7 metra i gjatë ka qenë në pronësi të miliarderit rus Oleg Burlakov, i cili vdiq nga Covid 19 në qershor të vitit 2021. Pas vdekjes, bashkëshortja e tij e shiti jahtin, i cili aktualisht zotërohet nga një kompani jahtesh turistike qipriote, që i jep me qira ato.

Shqipëria ka hequr taksat për jahtet dhe anijet e huaja turistike që lundrojnë në Mesdhe, duke e kthyer vendin tonë në një mundësi të artë për të ulur kostot e lundrimeve të qejfit për të huajt, si një mënyrë tërheqjeje për të njohur vendin tonë dhe bërë atë pjesë të ndalesave të tyre.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel