39-vjeçari humbi jetën gjatë garave me makina sportive në Durrës, lihet i lirë shoferi që e përplasi

25/11/2022 13:27

Gjykata e Durrësit ka lënë të lirë të akuzuarin për vrasje nga pakujdesia në kartodromin e Shijakut.

Pasi ka vleftësuar të ligjshëm arrestimin e 40-vjeçarit Florian A. me kërkesë të prokurorisë së Durrësit, gjykata vendosi caktimin e masës së sigurimit personal “detyrim paraqitjeje në policinë gjyqësore”. Ndaj Florian A. është ngritur akuza e vrasjes nga pakujdesia.

39-vjeçari Armand M. humbi jetën gjatë garës me makina sportive në kartodromin që ndodhet në aksin rrugor Plepa-Tiranë, rruga e Ndroqit, më 20 nëntor të këtij viti.

Gjatë një gare me makina sportive elektrike ai u godit fort nga garuesi tjetër. Përplasja ka qenë tejet e fortë dhe e ka nxjerrë jashtë piste viktimën, mjeti i të cilit është përplasur edhe me barrierat mbrojtëse.

Përplasja ka qenë fatale për 39-vjeçarin edhe pse ka qenë me rrip sigurimi dhe skafandër, ndërsa policia vuri në pranga Florian A. nga Tirana.

I akuzuar për “vrasje nga pakujdesia”, nëse shpallet fajtor ai rrezikon dënimin me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet, bazuar në legjislacionin tonë penal.

Top Channel